Një finale, si ndeshje teke, nuk ka favoritë. Aq më tepër nëse skuadrat në fushë janë Franca dhe Argjentina dhe kanë në gjirin e tyre kampionë si Kilië Mbape apo Lionel Mesi.
Sidoqoftë, ka detaje që bëjnë Francën favorite e jo vetëm për çështje tradite në dekadat e fundit. Edhe vlera e organikeve flet frëngjisht. Sipas “Transfermarkt”, kampionët e Botës në fuqi kanë organikën më të shtrenjtë të Kupës së Botës me një vlerë prej 1.05 miliard euro.
Mesatarisht, çdo lojtar i “Gjelave” vlen 38,36 milionë euro, teksa formacioni titullar kushton 559 milionë euro.
Stiv Mandanda me një karton prej vetëm 1.5 milionë eurosh është lojtari më i lirë te Franca, ndërkohë, më i shtrenjti, është Kilië Mbape që vlen 160 milionë euro sipas “Transfermakt”, por nuk ka dyshime që për ta rrëmbyer nga PSG-ja do të duheshin disa qindra milionë më shumë.
ARGJENTINA – Lionel Mesi me shokë fluturojnë në krahët e entuziazmit, sidomos pas fitores së lehtë kundër Kroacisë dy ditë më parë. Duke qëndruar në diskutim kostoje, “Pleshti” vlen 50 milionë euro, teksa lojtari më i shtrenjtë mes 26 të grumbulluarve është Lautaro Martinez me 75 milionë euro.
Edhe pse e nisi si titullar turneun dhe po e shijon si rezervë luksi, bomberi i Interit ka me se të krenohet me shokët e skuadrës. Për të gjetur lojtarin që vlen më pak ekonomikisht nuk ka nevojë të lodhemi në hulumtime. Ai është titullar i padiskutueshëm, por çdo ekip mund ta blejë për vetëm 3 milionë euro.
Formacioni titullar i Skalonit, të paktën duke u bazuar në ndeshjen e fundit kundër Kroacisë, kap një vlerë prej 314 milionë euro, ndërkohë që organika në tërësinë e saj kushton 645.2 milionë euro.