Portieri Alen Sherri e festoi në mënyrën më të mirë të mundshme triumfin në Kupën e Shqipërisë ndaj Kukësit, teksa në fund të sfidës, mori një “PO” nga e fejuara e tij, pas propozimit që i bëri për martesë në mesin e fushës. Në prononcimin e dhënë pas këtij momenti special portieri shkodran për mikrofonin e “MCN” u shpreh:

“E kisha planifikuar para nja 2 ditësh. Për koeçidencë, dje më çoi një unazë. Sot më tha pse po rrimë kështu ne, sikur do më propozosh. Kam 2 vite e gjysëm me të fejuarën. Kishte ardhur momenti për ta bërë zyrtare. Kisha emocione shumë gjatë lojës për të dyja gjërat. Ndoshta ndikoi edhe në lojë. Ishte një ditë emocionuese për mua.

Objektivi tjetër është titulli kampion do të luftojmë. Shpresoj ta arrijmë edhe këtë dhe më pas do të ishte perfekt.

Në qoftë se fitojmë titullin kampion do të kemi dasmë. Kisha fat sot. Dylis e dinte, më shpëtoi në atë moment, në fushë i thashë ta kam borxh.

Duhet të marrim disa mësime nga kjo ndeshje, nuk e nisëm në mënyrën më të mirë të mundshme. Kishte një tjetër emocion. Kukësi ishte pa presion, kjo ndikon te loja. Me Vllazninë do të jetë një ndeshje tjetër, edhe ekipi jonë do të ketë fytyrë tjetër. Do të jetë një vështirësi plus për mua. Po bëhet hera e shtatë kundër Vllaznisë, jam mësuar”, u shpreh Sherri.

Një prononcim të shkurtër në lidhje me këtë moment special e dha dhe partnerja e Sherrit e cila deklaroi: “Ishte surprizë nuk e prisja. Në fillim po e thoja me shaka, pse po më lë në mes, mos na bën ndonjë propozim”.