Vllaznia arriti një fitore shumë të rëndësishme mbrëmë kundër Partizanit në kuadër të ndeshjes së parë çerekfinale për kupën. Shkodranët fituan me rezultatin 3-1 përballë “demave”. Shifra që japin një lloj sigurie për takimin e kthimit dhe kualifikimin më tej. Por që gjithashtu tregojnë për forcën e ekipit.

Kjo pasi kuqeblutë e drejtuar nga Josa, jo vetëm që morën rezultatin e duhur, por treguan edhe një nivel loje të kënaqshëm. Nën rreshjet e dendura të shiut në “Loro Boriçi” dhe me një terren të vështirë, Vllaznia tregoi futboll.

Madje duhet vlerësuar se në formacionin titullar, nuk ishin futbollistët e zakonshëm. Fakt që nuk u vu në dukje aspak. Në portë si zakonisht në portë ishte Kristi Qarri. Pavarësisht se pësoi 1 gol, gardiani ishte pa faj në goditjen shumë të bukur të Matondos.

Realisht tentativat drejt portës së tij nuk ishin aq serioze, por ai arriti të menaxhonte mirë një ndeshje delikate. Në mesfushë po ashtu pas shumë kohësh u prezantua si titullar edhe Heriç. Edhe për boshnjakun prova e dhënë ishte goxha pozitive.

Në sulm këtë sezon nuk është se nuk ka pasur minuta për Çoben dhe Kainen. Por ata nuk janë parë asnjëherë si titullarë fiks në formacion. Të dy gjetën golat dje, madje braziliani realizoi një dopietë.

Një fakt i tillë tregon se Vllaznia ka edhe një stol të fortë e që në çdo çast mund të jenë protagonistë dhe të gatshëm për trajnerin Mirel Josa.
Endri ÇINARI