Gazetari i njohur sportiv shkodran, Gaspër Marku, thotë se komunikata e klubit të Vllaznisë, për largimin e trajnerit Brdariç, nuk ka qenë shumë e drejpërdrejtë. Gjatë emisionit “Sport Show” në TV1-Channel, Marku tha se largimi i trajnerit Brdariç, sipas tij, nuk ishte shumë i arsyeshëm, që të largohej në këtë moment.

“Ajo komunikata e klubit të Vllaznisë, më bëri përshtypje. Nuk ishte shumë e drejpërdrejtë. Nuk thuhet se dorëhiqet trajneri, nuk thuhet se largohet trajneri, por ndërpret bashkëpunimin. Natyrisht, humbja me Tiranën, por pse jo edhe polemikat me gazetarët në konferencën e shtypit, e kanë shtyrë më tepër drejt këtij vendimi.

Megjithatë, ajo çfarë më vjen keq mua, është ajo që ky trajner i dha Vllaznisë lavdinë. E ndryshoi mentalitetin, lojën.

Ne i kemi bërë lapidar dhe e ka merituar, por sidomos këtë sezon, ka vend për t’u ndalur. Ka pasur probleme, por që të ikte pas ndeshjes me Tiranën, nuk më duket shumë e arsyeshme.

Ishte një humbje, ku të mundi kryesuesja dhe nuk besoj se ishte momenti vendimtar, momenti i duhur. Megjithatë, ajo që më vjen keq mua, është fakti që, u largua pas një nevrikosje, pas një sherri me gazetarët, që në fakt, gazetarët sportiv, nuk kanë qenë e keqja e këtij trajneri.

Gazetarët sportiv, përfshirë edhe mua, kolegun Uruçi dhe të gjithë kolegët e tjerë, kanë qenë shumë korrektë. Me Vllazninë në terësi, me presidencën si asnjëherë tjetër.

Ne kemi pasur dhe kemi kaluar shumë presidenca, shumë klube, shumë trajnerë dhe ka pasur shumë shkrime dhe komente nga më të ndryshmet. Ka qenë një klimë e ashpër, por kjo Vllazni, ka qenë në syrin shumë pozitiv të medias sportive.

Sidomos, ky trajner, media dhe gazetarët, kanë pasur marrëdhënie të mira. E kanë pasqyruar, e kanë komplimentuar.

Brdariç filloi të mësojë edhe shqipen, filloi të komunikonte me ne në konferencat e shtypit, i qeshur, i qetë, edhe me disa fjalë shqip, por ishte diçka që humbi. Ndoshta ishte ai presioni i rezultatit, humbja e ndeshjes dhe larg imagjinatës që mund ta ndërpriste bashkëpunimin.

Brdariç nuk e ka menduar kurrë se do të ikte kaq shpejt. Nuk jam dakord me trajnerin, i cili nuk ishte në gjendje t’i ruante nervat dhe ta mbante qetësinë, pasi nuk është një pyetje e rrallë që nuk dëgjohet. Dëgjohet rëndom në të gjitha komunikimet mediatike”,-tha gjatë prononcimit të tij, gazetari sportiv, Gaspër Marku.
Maringlen ZHIVANI