Ekipi Kombëtar i femrave ka nisur që prej pasdites së djeshme përgatitjet intensive në kuadër të dy sfidave të fundit eliminatore ndaj Polonisë e Norvegjisë, të vlefshme për Kampionatin Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima dhe stafit kuqezi, vajzat kuqezi po i zhvillojnë stërvitjet e tyre në fushën me bar natyral të një nga mini-stadiumeve të “Shtëpisë së Futbollit”.

Ditën e sotme grupi ka zhvilluar një seancë të plotë stërvitore, ndërsa të dielën pritet t’i bashkohen ekipit edhe katër lojtare që luajnë në kampionatet jashtë vendit.

Edhe pse Kombëtarja shqiptare i ka humbur shanset për t’u kualifikuar në finalet e këtij kompeticioni, objektivi tashmë është arritur. Shqipëria ka lënë pas dy ekipe dhe ka arritur një rekord, duke grumbulluar deri më tani 10 pikë në kualifikueset e një Botërori, si kurrë më parë për Shqipërinë, teksa do të synojë të marrë pikë edhe në këto dy sfida.

Këtë e pohon Megi Doçi, kapitenia e ekipit, e cila premton se skuadra do t’i vlerësojë të dyja ndeshjet në maksimum dhe do të tentojë të marrë pikë ndaj Polonisë në shtëpi.

Në një prononcim për fshf.org, ajo shprehet se ndihet e lumtur që është rikthyer në grumbullim me Kombëtaren, teksa tregon edhe se si është atmosferta brenda ekipit. Gjithashtu, Doçi thotë se Shqipëria, pavarësisht rezultateve jo pozitive ka treguar se po rritet si ekip.

Rikthimi me ekipin kombëtar dhe atmosfera në skuadër – Gjithmomë është ndjenjë e mirë rikthimi me Kombëtaren dhe është e rëndësishme që secila prej nesh vlerëson çdo grumbullim dhe secila që është pjesë ndihet krenare që është pjesë e këtij ekipi. Sa i përket atmosferës, është realisht mjaft e mirë. Të gjitha ne kemi shumë dëshirë të luajmë dhe presim me padurim ndeshjet. Edhe grupi është në gjendje të mirë fizike dhe po presim ende disa vajza që do t’i bashkohen grupit ditën e diel, për t’u kompletuar.

Objektivat e ekipit për këto dy ndeshje – Sigurisht që ndeshjet do të merren njëra pas tjetrës. E rëndësishme për ne është sfida e parë me Poloninë, që është edhe fokusi ynë kryesor, ku do të tentojmë të marrim pikë për të thyer një tjetër rekord. Objektivat tona janë të qarta, sepse edhe trajneri, por edhe ne e dimë shumë mirë se çfarë ekipesh do të kemi përballë dhe i njohim cilësitë e tyre. Por ne do të bëjmë lojën tonë, dhe sigurisht që do t’i vlerësojmë të dyja ndeshjet në maksimum, do t’i japim vlerësimin e duhur.

Si kapitene, e kënaqur me paraqitjet e ekipit në këto kualifikuese? – Nga viti në vit kemi ecur mjaft mirë në ndeshje dhe kemi treguar se jo vetëm dimë të luajmë futboll, por edhe dinjitet në fushë përballë ekipeve me emër. Pavarësisht rezultateve jo pozitive dhe golave të pësuar, e rëndësishme për ne është që po rritemi si ekip dhe në pak vite do shihni këtë ekip të rivalizojë edhe skuadrat më të forta.

Ndeshja e parë ndaj Polonisë do të luhet në stadiumin ‘’Elbasan Arena’’, më 1 shtator në ora 17:00 ndërsa më 6 shtator, vajzat kuqezi do të përballen me Norvegjinë në transfertë, me ndeshjen që nis në ora 18:30.