Pas arritjes së objektivit, ngjitjes në Superligë, tek Vllaznia po bëjnë planet për t’u dhënë minuta edhe lojtarëve që nuk kanë luajtur aq sa duhet gjatë këtij kampionati.

Për këtë arsye, mendohet që të aktivizohen në katër ndeshjet e fundit lojtarët e stolit, ndonjë nga Vllaznia B dhe pse jo edhe nga të rinjtë. Ndërkohë, për ndeshjen e së shtunës ndaj Korabit, mësohet emri i parë që do të jetë pjesë e formacionit bazë. Bëhet fjalë për portierin Kristi Qarri.

Ashtu si dhe në Shijak javën e kaluar, edhe këtë javë ai do të mbrojë portën e kuqebluve sepse të dy portierët e tjerë si Sherri ashtu edhe Selimaj vazhdojnë të jenë të dëmtuar.

Në këto rrethana, Qarri do të luajë edhe të shtunën në “Loro Boriçi” ndërsa pritet të mësojmë se kush do jenë 10 të tjerët që do ta nisin nga minuta e parë sfidën me dibranët.

Ideja është që të ketë një ndërthurje të disa prej titullarëve me lojtarët e tjerë dhe kësisoj edhe skuadra do të jetë e fortë në fushën e lojës dhe do të luftojë sërish për t’i fituar të gjitha ndeshjet që kanë mbetur deri në fund të kampionatit.
© shkodrasport.com