Vllaznia e sezonit të ri pritet të jetë shumë më e ndryshme se ajo e vitit të shkuar, me drejtuesit, të cilët në merkato u munduan t’i shtojnë ekipit elementët, që i munguan në të gjithë sezonin e shkuar. Ekipit i janë bashkuar disa futbollistë, teksa në javët në vijim pritet ndonjë lëvizje tjetër në hyrje.

Nëse kuqeblutë humbën shumë gola dhe qarkullim topi me largimin e Da Silvës dhe Krymit, kanë fituar të tjerë elemente me afrimin e futbollistëve, të cilët po stërviten në Austri nën drejtimin e trajnerit Josa.

Kështu, gabimet e shpeshta fatale të futbollistëve të Vllaznisë të sezonit të shkuar, shpesh herë tregonin mangësi. Me ardhjen e futbollistëve si Lorik Boshnjaku në mesfushë apo Marko Juriç në mbrojtje, loja e skuadrës kuqeblu fiton ndjeshëm më shumë pjekuri.

Ndërkohë, klasin dhe dinamikën gjatë ndeshjeve, tentoi ta bënte Da Silva, por nuk mundi dot dhe skuadra vuajti në shumë përballje. Josa kërkoi me patjetër një futbollist të paparashikueshëm pas sulmuesve në këtë merkato. Një nga ata, të cilët e dërgojnë topin aty ku s’ta pret mendja.

Në fund, drejtuesit i plotësuan dëshirën me Kristijan Vulaj, i cili erdhi si “dhuratë” nga Deçiç. Efektin, shqiptaro-malazezi, e ka dhënë menjëherë në seancat stërvitore deri më tani.

Edhe rikthimet e tjera si Kaina Nunes, Dajan Shehi dhe Herald Marku, duket se kanë qenë të duhurat, teksa edhe ata deri më tani kanë shfaqur shenja pozitive në seancat stërvitore. Megjithatë, çdo gjë rreth afrimeve të fundit mbetet për t’u parë në fushën e lojës dhe më konkretisht, në tre miqësoret që Vllaznia pritet të zhvillojë në Austri. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia e sezonit të shkuar (4-2-3-1): Zogoviç, Gurishta, Adili, Diagne, Hakaj, Jonuzi, Krymi, Da Silva, Mustedanagiç, Latifi, Aralica

Vllaznia e sezonit të ri (4-3-3): Zogoviç, Gurishta, Shehi, Juriç, Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Marku, Vulaj, Latifi, Aralica Tr: Mirel Josa