Thomas Strakosha ka qenë portieri më i mirë i fundjavës së kaluar në të gjitha kampionatet të cilat janë pjesë e lojës së re FIFA 2020.

Ky është verdikti i ekspertëve të EA Sports dhe FIFA-s të cilët çdo javë zgjedhin edhe formacionin ideal falë paraqitjeve të futbollistëve të ndryshëm në kampionate në gjithë globin, duke u ndalur sigurisht më shumë në ato në Europë.

Strakosha figuron në formacionin ideal të FIFA-s dhe kjo nuk është hera e parë, por në të kaluarën ai ishte përzgjedhur gjithmonë mes rezervave, ndërsa tani është titullari i këtij formacioni.

Përkrah tij janë emra të njohur të futbollit europian si Blind, Havertz, Kazorla, Zapata e Mahrez sa për të përmendur disa që kanë spikatur në fundjavën e kaluar.

Një vlerësim për gardianin kuqezi sidomos sa i përket imazhit që ka krijuar tashmë në arenën ndërkombëtare, duke u paraqitur në këto tre vite në nivele shumë të larta e duke regjistruar pikërisht gjatë fundjavës që kaloi ndeshjen e tij të 100 në Serinë A me fanellën e Lacios. /vipsport/