Shahisti shkodran Franc Ashiku është shpallur kampion i Shqipërisë, pas një dueli “kokë më kokë” me Ilir Seitaj. Gjithçka u vendos pas ndeshjeve shtesë që dy shahistët zhvilluan mes tyre, pasi 11 raundet e kampionatit sollën barazim mes tyre. Të dy shahistët e mbyllën në kuotën e 8.5 pikëve, ndaj dhe zhvilluan dy ndeshje rapid me nga 15 minuta secili. Këto dy sfida sollën avantazhin e Ashikut, që fitoi sfidën e parë dhe barazoi sfidën e dytë me Seitajn, duke grumbulluar 1.5 pikë kundrejt 0.5 pikëve të rivalit.

Për pasojë, shahisti i ri Franc Ashiku ka marë dje kupën e Kampionit të Shqipërisë në shah, pas një aktiviteti dy-javor, plot rivalitet dhe emocione, që u zhvillua në “Qendrën Rinore” në kryeqytet. Ndërsa për femra, kampione doli Alda Shabanaj. Gara sidomos tek meshkujt ka qenë shumë e fortë dhe për këtë arsye, titulli i Ashikut merr vlera edhe më të mëdha sepse ka sfiduar emra të rëndësishëm të shahut shqiptar. 22 vjeçari në këtë mënyrë bëhet i dyti shahist shkodran që shpallet kampion në vite pasi më parë një sukses të tillë e kishte arritur Anton Gurakuqi. Mosha e re e Ashikut të lë me shpresa se është një sportist me shumë të ardhme dhe për disa vite me rradhë do të dominojë në skakierën shqiptarë.
Gjergj KOLA