Çështjet e të drejtës së sportit ishin në fokusin e diskutimeve mes ekspertëve të fushës në workshop-in e zhvilluar këtë të enjte nga Federata Shqiptare e Futbollit me temë “Workshop i të Drejtës Sportive 2024”. Një aktivitet mjaft i rëndësishëm, i kthyer tashmë në traditë nga FSHF dhe në një platformë mjaft të mirë jo vetëm komunikimi e diskutimi, por edhe shkëmbimi eksperiencash.

Në këtë workshop morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, figura të njohura të së drejtës sportive jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Europa, si: Thomas Leblatier, Këshilltar Ligjor pranë departamentit të Clearing House të FIFA-s, Jacques Blondin, Avokat dhe Drejtor i Departamentit “Regulatory Enforcement” në FIFA, Salvatore Civale, Drejtor i Qendrës së Legjislacionit dhe Politikave Sportive, Andrea Marchetti, Avokat i specializuar në fushën e të drejtës sportive si dhe Aldi Topçiu, Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në FSHF.

Në workshop-in e organizuar sot në “Shtëpinë e Futbollit” u diskutuan çështje të së drejtës sportive, ku u trajtuan tema të ndryshme si transferimi i lojtarëve, rregullorja e agjentëve të FIFA-s, jurisprudenca e BE-së dhe jurisprudenca e gjykatës së futbollit, FIFA, duke sjellë zhvillimet më të fundit në këtë fushë.

Pjesmarrës në këtë aktivitet kanë qenë përfaqësues të ndryshëm të klubeve të futbollit teksa Vllaznia është përfaqësuar me Sekretarin e Përgjithshëm Blendi Dibra./www.shkodrasport.com/