Shqipëria U-19 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me Maltën U-19 në datat 20 dhe 22 mars. Të dyja takimet do të luhen në Maltë në stadiumin “Centenary Stadium” në orën 19:30 dhe ky do të jetë grumbullimi i parë zyrtar për trajnerin Bledi Shkëmbi me Kombëtaren U-19.
Tekniku kuqezi ka publikuar edhe listën me lojtarët e grumbulluar për dy sfidat miqësore me Maltën U-19. Trajneri Shkëmbi ka thirrur 20 lojtarë, teksa 7 prej tyre vijnë nga ekipet e kampionatit shqiptar. Pjesa tjetër e lojtarëve aktivizohen në kampionatet jashtë vendit, ndërsa Eltion Misini luan me skuadrën e Ferizajt në Kosovë.
Ajo që të bën përshtypje është mosgrumbullimi i mbrojtësit shkodran që luan me Panathinaikos Elton Fikaj. Ky i fundit po bën paraqitje të mira jo vetëm me ekipin B, por ka debutuar edhe me ekipin e parë të klubit të njohur grek. Por kjo ecuri e tij duket se nuk ka mjaftuar për një ftesë në kombëtaren U19 të Shqipërisë, ndonëse deri tani ka qenë titullar i padiskutueshëm i saj.
Çfarë po ndodh me të? Ndoshta ndryshimi i trajnerit të kombëtares tonë ka patur efektin e vet në këtë temë, por gjithsesi është e pajustifikueshme, madje vetë Fikaj pse jo ka pritur një ftesë edhe për kombëtaren U21, por në fakt tashmë nuk grumbullohet as me kombëtaren U19.
Ashtu siç është i pajustifikueshëm grumbullimi edhe i qoftë një futbollisti të Vllaznisë që kryeson kampionatin e kësaj grupmoshe, ndërkohë që janë ftuar edhe futbollistë nga ekipe të kategorisë së parë.
Kombëtarja U-19 do të grumbullohet të hënën në mëngjes dhe më pas ekipi do të udhëtojë drejt Maltës, aty ku do të kryhen edhe përgatitjet për dy ndeshjet miqësore.
Më poshtë, edhe lista me emrat e 20 lojtarëve të ftuar nga stafi teknik i Kombëtares U-19 për dy sfidat miqësore me Maltën U-19: