Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, dje pas ndeshjes me Fulham ku barazuan 2:2, u ankua duke thënë se ishte fusha e thatë. Skuadra e porsapromovuar e filloi talljen menjëherë duke postuar në Twitterin zyrtar të klubit stadiumin duke u ujitur me ujë nga shumë pjesë, e shoqëruar me fjalët ‘Stadiumi dje u duk i lagur’.

Në Craven Cottage ku u zhvillua ndeshja dje, Fulham fillimit po avanconte në pjesën e parë me një lëvizje ekipore që rezultoi me shënimin e golit nga Aleksandar Mitrovic, i cili e bëri për pesë pare Trent Alexander-Arnold.

Në pjesën e dytë, Klopp e futi në lojë Darwin Nunez, i cili shënoi dhe asistoi, ndërsa Mitrovic shënoi edhe një gol. Ndeshja hapëse e nënkampionit anglez përfundoi me barazim, dhe si gjithmonë trajneri gjerman gjen ankesa të llojllojshme.
Çfarë tha Klopp për fushën në Fulham?

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ishte jashtëzakonisht i nevrikosur me skuadrën e tij, duke thënë për BT Sport: “Gjëja më e mirë e lojës ishte rezultati. Një lojë vërtetë e keqe.

Si mund të ndodhë kjo? Vendosja në fushë nuk ishte e duhura që nga fillimi. Ne u përpoqëm të reagonim. Bari ishte i thatë dhe gjëra të tilla ta bëjnë ndeshjen të vështirë.Rezultati ishte i mirë, nuk merituam më shumë se kaq, por paraqitja kishte përmirësime.”