Vllaznia do udhëtojë drejt kryeqytetit në javën e 21-të të kampionatit, për tu përballur me skuadrën e Partizanit. Një duel që i shikon si kuqeblutë ashtu edhe “demat” në një formë të mirë sportive. E në këtë mënyrë edhe dueli i kësaj rradhe pritet të jetë shumë i fortë. Futbollistët cilësorë nuk mungojnë në të dy krahët.

E nëse ka një që është njeriu i momentit në kampionatin shqiptar, ai është Xhuliano Skuka. Sulmuesi dibran që mban veshur fanellën e Partizanit është shndërruar në liderin e 16 herë kampionëve të vendit. Prej tre ndeshjesh rradhazi ai gjen rrjetën mes kampionatit dhe kupës.

Jo më larg se javën që u mbyll i dha 3 pikë të arta ekipit të drejtuar nga Mehmeti. Dopieta e tij ishte vendimtare në fitoren 1-2 kundër Skënderbeut. Po ashtu 23-vjeçari më përpara kishte shënuar edhe kundër Teutës në kampionat si edhe Dinamos në kupë. Ndeshjes rradhazi ku ai gjeti golin duke u konfirmuar si një goleador i mirëfilltë.

Duket se ndryshimi i ambientit për Skukën që në merkaton e janarit kaloi nga Dinamo tek Partizani ka qenë me të vërtetë lëvizja e duhur për të dhe të kuqtë. Deri më tani ai numëron 5 gola me fanellën e kryeqytetasve mes kampionatit dhe kupës, ku ka zhvilluar 7 ndeshje.

Tek Vllaznia patjetër janë të paralajmëruar për cilësitë e sulmuesit, që në fazën e parë i shënoi kuqebluve me fanellën e Dinamos në humbjen e këtyre të fundit në shifrat 6-3 në Shkodër kundër kuqebluve.
Endri ÇINARI