Kupat e Europës janë pasqyra e vërtetë e nivelit të kampionateve dhe nëse i referohemi edicionit të fundit, klubet shqiptare kanë dështuar në të gjitha aspektet. Barometri për të parë nëse niveli i Superiores ka pasur rritje është pikërisht përfaqësimi në Ligën e Kampioneve e Ligën e Konferencës dhe rezultatet negative të edicionit të fundit, kanë ndikuar direkt te financat, për më tepër që në këtë periudhë problemet ekonomike në shumicën e klubeve tona kanë qenë evidente.

UEFA ka përditësuar së fundmi edhe renditjen e 55 kampionateve në Europë, me koeficientët e shteteve, nga ku bazohet më pas në përzgjedhjen që bën për shortimin e klubeve në kompeticionet e saj. Kampionati shqiptar është pa frikë në ditët më të errëta të tij, duke u pozicionuar i 49-ti në Europë me 6.250 pikë.

Aktualisht Superiorja lë pas vetëm gjashtë shtete sa i përket koeficientit që kanë prodhuar klubet me performancën e tyre në vitet e fundit, teksa bëhet fjalë për kampionate si Uellsi, Gjibraltari, Maqedonia e Veriut, Andorra, Mali i Zi dhe San Marino, me këtë të fundit që mbyll renditjen në Europë.

Në edicionin 2023- 2024, Superiorja do të përfaqësohet sërish me 4 skuadra, një në Ligën e Kampioneve dhe tri në Ligën e Konferencës. Mirëpo, në ndryshim nga vera e këtij viti, ku fituesi i Kupës së Shqipërisë, Vllaznia, e nisi nga turi i dytë, tashmë Superiorja e humb këtë mundësi, pasi të katërta skuadrat do ta startojnë përfaqësimin e tyre nga turet e para.

Aktualisht Laçi është klubi shqiptar me koeficientin më të madh në UEFA, pikërisht 7.50, ndërsa më pas vijnë Kukësi, Teuta, Partizani, Tirana dhe Vllaznia. Edicioni i fundit shënoi një rritje rekord të kampionatit kosovar, që tashmë është i 33-ti në Europë dhe përfaqësohet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës me Ballkanin e Suharekës, që drejtohet nga Ilir Daja.

FINANCAT – Nëse bëhet një krahasim me Kosovën në këtë moment, diferencat duken të mëdha në shifra, pasi vetëm Ballkani i Ilir Dajës, ka arkëtuar deri më tani më shumë se dyfishi i të ardhurave të katër klubeve të Superiores së bashku. Aktualisht Ballkani ka arkëtuar si klub nga bonuset e UEFA-s 4 milionë e 110 mijë e 500 euro, ndërsa Tirana, Laçi, Vllaznia dhe Partizani kanë marrë në total së bashku 2 milionë e 60 mijë euro.

Rezultatet mbresëlënëse të klubeve kosovare këtë edicion në kompeticionet e UEFA-s kanë sjellë në total 5 milionë e 420 mijë e 500 euro të ardhura. Momenti fantastik i Ballkanit ka ndikuar jo pak në rritjen e koeficientit të kampionatit dhe sigurisht benefitet do të shikohen në vazhdimësi, jo thjesht sa i përket anës financiare, por edhe shartimit që do të kenë këto skuadra në edicionin e ardhshëm. Klubi me koeficientin më të madh është Drita e Gjilanit me 9.50.