Kanë mbetur edhe tetë javë deri në përfundim të Kategorisë së Dytë, por gara midis Elbasanit dhe Pogradecit është ndezur në maksimum. Të dyja ekipet ndajnë kreun e klasifikimit me nga 36 pikë dhe në një situatë të tillë, hyn në lojë golavarazhi. Pas akuzave që hodhi Samuel Nikaj për verdheblutë, reagon Gentian Stojku.

I habitur me pjesën e estradës, ai i cilëson deklaratat e homologut të tij si provokim. “Nuk e di ku e sheh ai zotëria (Nikaj) estradën, kur ne shkojmë edhe fitojmë minimalisht në ndeshjet tona. Një trajner nuk mund të flasë me eufori dhe si tifoz. Këto provokime mund t’i bëjnë me dikë tjetër, sepse harrojnë që Elbasani ka një staf me ishfutbollistë kampionë dhe me emër në futbollin shqiptar e një traditë mbi supe. Ndaj duhet kujdes kur flitet për një ekip serioz”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport”, numri një i stolit elbasanas.

Trajneri Samuel Nikaj: Estradën ia lëmë… Elbasanit

KAMPIONATI – Në vijim të fjalës së tij, 48-vjeçari ndalet edhe te parashikimet që po bëhen kaq herët. “Unë nuk e kuptoj dhe vërtet jam i habitur, kur kanë mbetur edhe tetë javë kampionat, ne tani të diskutojmë golavarazhin.

Sipas kësaj logjike, i bie që Pogradeci i fiton të gjitha ndeshjet deri në fund dhe tani po bëhen llogaritë me golavarazhin. Nuk e shoh serioze. Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës dhe nuk mund të parashikoj unë se ç’do të ndodhë në fund të sezonit. Për momentin jemi me pikë të barabarta, por në tetë ndeshje mund të gabojmë si ne ashtu edhe ata”, vijoi më tej tekniku elbasanas.

RIVALËT – Stojku nuk e kupton si llogariten të fituara ndeshjet e Pogradecit deri në fund, kur përballë do të ketë ekipe me traditë dhe objektiva.

“Harrojnë se përballë janë skuadra që kanë objektivat e tyre dhe që kanë traditë të madhe mbi supe, siç është Luftëtari, Butrinti, Labëria, Shkumbini etj. Pra, tetë javë para fundit kampi tjetër mendon golavarazhin, kur mund të mos fitosh dot… Ne respektojmë çdo kundërshtar dhe hyjmë në fushë për të marrë maksimumin, por duke menduar vetëm për të radhës, me synimin për të fituar dhe sezonin e ardhshëm të ngjitemi në Kategorinë e Parë”, përfundoi tekniku i Elbasanit.