Dje shënoi golin e tretë, atë që vulosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes Vllaznia- Burreli. Interesant sepse shënoi me kokë, çka nuk është edhe gjëja e preferuar e tij. Gilman Lika në këtë mënyrë po e bën mirë detyrën e tij. Jo vetëm të liderit në fushë, por edhe tashmë si golashënues.

Deri më tani, e ka dërguar topin tre herë në rrjetat e portave kundërshtare. Ka shënuar ndaj Vorës golin e parë në këtë kampionat, ndaj Korabit javën e kaluar të dytin dhe dje ndaj Burrelit të tretin.

Kapiteni i Vllaznisë gradualisht po shndërrohet në lojtarin më të rëndësishëm të kuqebluve. Me formën, lojën dhe golat e tij po e ndihmon skuadrën të arrijë objektivin që ka.

Lika luan me shumë pasion e dëshirë për të realizuar objektivin që i ka vënë vetes bashkë me shokët e ekipit, për ta rikthyer në superligë. Vetë Gilmani në çdo prononcim të tij e ka shprehur se ende nuk është arritur asgjë dhe do t’i duhet të luftojnë fort deri në fund për të arritur këtë gjë.

Prej të gjithëve duhet shumë sakrificë, jo më kot vendosi të qëndronte këtë vit tek Vllaznia, ndonëse ajo po luan në kategorinë e parë. Sëbashku do të kthehen të luajnë sërish në Superligë sezonin e ardhshëm.
© shkodrasport.com