Kapiteni i Vllaznisë Gilman Lika, në konferencën e shtypit gjatë ditës së sotme e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin e rradhës Për takimin e së dielës në opinionin sportiv shkodran duket se ka interesim dhe për këtë arsye, priten edhe më shumë tifozë në shkallët e “Loro Boriçit”. Këtë gjë në fakt pret edhe Lika që po ashtu jo gjithçka ia lë në dorë tifozëve kur thotë: “Unë kam dëshirë që stadiumi të mbushet plot.

Mbase nuk do të mbushet plot këtë herë ndaj Teutës por jam i bindur se nesër tifozët kanë për të qenë të shumtë në numër në shkallët e “Loro Boriçit”. Çdo është në dorën tonë. Na mbetet ne të japim maksimumin dhe të kemi një ecuri pozitive rezultatesh dhe pastaj nuk do të jetë e nevojshme t’i bëjmë thirrje tifozëve të vijnë në stadium sepse ata vijnë vetë”. Gilmani është lojtari më veteran tek skuadra shkodrane dhe eksperienca e tij padyshim që flet vetë. Ai është në gjendje të japë një mendim edhe për gjendjen e skuadrës dhe kapacitet e saj dhe për këtë shton: “Nga sa kam parë unë tek ekipi që nga fillimi i fazës përgatitore dhe deri më sot, mund t’u them se nuk jemi vetëm unë, Vucaj e Hasani. Ka edhe lojtarë të tjerë me cilësi të jashtëzakonshme por që duan të kenë më shumë besim tek vetja dhe nëse ndodh kjo, me kalimin e kohës ju garantoj se ky ekip ka për të shkuar shumë larg. Ardhja e Ribajt ka ndihmuar tek Vllaznia në fazën sulmuese. Ai është një lojtar i evidentuar në Superligën shqiptare. Duke ditë se në sulm kishim vetëm një lojtar, ishte e domosdoshme gjetja e një sulmuesi tjetër dhe ardhja e këtij lojtari besoi se do të ndikojë për mirë tek skuadra.Nëse gjërat shkojnë normalisht dhe nuk kemi probleme me dëmtimet apo gjëra të tjera, i garantoj të gjithë se kjo Vllazni nuk ka për të zhgënjyer askënd këtë sezon”.

© shkodrasport.com