Kukësin e pret një takim mjaft i vështirë të enjten, duke qenë se përballë do të ketë Torpedo Kutaisin në ndeshjen e kthimit për Ligën e Europës.

Ndeshja e parë, e luajtur në Tbilisi ka përfunduar me fitoren e gjeorgjianëve me shifrat 5-2, por te Kukësi besojnë në kualifikim dhe këtë e pranon vetë presidenti Gjici.

Në një konferencë shtypi, ai shprehet se skuadra është përforcuar shumë dhe se pret që të afrojë të tjerë lojtarë cilësorë, ndërkohë që për ndeshjen e parë, Gjici ia lë fajin vendësve të cilët nuk kanë ditur të sillen me “Fair Play”.

Sa i përket kampionatit, ai thotë se punën e tij e ka bërë dhe se tani është trajneri ai i cili do të duhet të bëjë mirë.

“Ju e dini që Kukësi ka blerë mbi 16 lojtarë dhe realisht deklarata e Cungut nuk është ashtu siç e keni përkthyer. Cungu nuk mban përgjegjësi për ekipin pasi i ka blerë Pakult lojtarët.

Pres shumë nga disa lojtarë që nuk kanë dhënë shumë tani në Champions. Them se me afrimin e Cuculit dhe lojtarit të Juves do ketë një impuls të ri në skuadër por nuk ndalojmë këtu pasi do te ketë surpriza të tjera.

Cungu ka kërkesa e veta në sulm dhe mesfushë dhe i kam thënë që do t’i plotësoj çdo kërkesë por tani jemi përqendruar te Liga e Europës dhe me këtë ekip që kemi, them se mund të kalojmë.

Ndeshjen e parë humbëm shumë raste, por nga gjeorgjianët morëm një goditje psikologjike dhe Cungu vendosi mbrojtës të djathtë Hoxhën dhe 3 gola që pësuam i pësuam në atë krah.

Ne kurrë nuk i kemi penguar ekipet me gjëra të tilla. Gjithmonë kemi ndjekur “Fair Play” por ata nuk e dinë këtë gjë pasi është hera e parë që merr pjesë.  Bëmë gjithçka që lojtarët e mi të merrnin viza por nuk arritëm dhe prej goditjes psikologjike morëm atë rezultat.

Me lojën që pashë dhe me mbrojtjen që kanë ata, nuk është e pamundur që të kthehet ndeshje pasi lojtarët kanë sedër dhe kapacitet.

Ne jemi gjithmonë për titull dhe me këtë grup e me blerjet e reja, do të jemi një ekip edhe më i fortë.

Nuk kam se çfarë shtoj më shumë unë por i ngel topi në dorë trajnerit dhe lojtarëve për të dalë kampion në fund”, tha mes të tjerash Gjici. /Vipsport/