Opinion nga Ramadan Bigza

Nuk jam bërë pjesë e polemikave të shumta, sidomos në rrjetet sociale, për atë çfarë thuhet kohët e fundit për Vllazninë. Kjo, sepse siç sqaronte disa ditë më parë edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Zonja Voltana Ademi, ende nuk ka një kërkesë zyrtare nga zoti Safet Gjici, i cili do të marrë presidencën e Vllaznisë. Sot, pasi u njoha me kërkesat e Zotit Gjici, botuar në media, kam të drejtë të jap mendimin tim për një problem, që e njoh shumë mirë. Që Vllaznia duhet te ndërrojë formën e administrimit të klubit, kjo nuk diskutohet. Afrimi i Zotit Gjici në këtë rast duhet përshëndetur dhe disa nga kërkesat e tij për administrimin e klubit janë të drejta. Por, ultimatumi se kjo gjë duhet të marrë fund brenda 5 ditësh, më duket një absurditet. E para, sepse ende kryetarja e bashkisë nuk ka marrë plotësisht në dorë frenat e institucionit që do të drejtojë. E dyta, është se ande nuk është konstituuar këshilli bashkiak, pa lejen e të cilit nuk mund të kryhet asnjë veprim. Vërtet koha nuk pret, se kampionati është në prag, por edhe t’i kërkosh bashkisë që të derdhë si garanci 500 mijë euro, më duket kërkesë e nxituar, sepse vetë bashkia nuk di ende sa ka fondin e vet. Mandej, Shkodra nuk është Kukësi. Shkodra, përveç futbollit, ka edhe basketbollin, volejbollin, çiklizmin, atletikën, peshëngritjen, mundjen e shumë sporte të tjerë. Sigurisht që këto sporte nuk e kanë peshën e futbollit, por ama shkodranët janë të të gjithëve. Shkodra është një qytet elitarësh dhe secili ka vendin e vet të respektuar. Mirëpo, a mund të flasësh për këtë gjë nëse nuk di akoma sa para ke në xhep?! Zoti Gjici, Vllaznia e ka shumë të domosdoshme të ngrihet aty ku i takon dhe bashkëpunimi juaj në këtë situatë është i vlefshëm, por ultimatumi juaj me bën jo pak, por shumë pessimist, për këtë bashkëpunim. Punët e mira bëhen duke njohur mirë situatën. Ato nuk bëhen me debate në rrjete sociale, por me iniciativa konkrete. Nëse je i bindur për të marrë Vllazninë, bujrum në Shkodër. Dhe shkodranët do të të presin si mik, ashtu siç dinë të presin ata dhe jo duke thënë se, nëse nuk do Vllaznia, do të rri te Kukësi. Kësaj i thonë në Shkodër “m’ka çu nana me la gojën”….