Pas Kristian Demajt edhe dy boksierët e tjerë të kombëtares shqiptare- Asmer Bilali e Albi Sorra, e kanë nisur me fitore pjesmarrjen e tyre në Kampionatin Europian që është duke u zhvilluar në Sofje të Bullgarisë. Takimi i parë ka qenë ai i boksierit shkodran i cili në ndeshjen e zhvilluar pasditen e sotme, ai ka patur përballë boksierin çek Tomas Bezvoda. Ndeshja është shoqëruar me rivalitet të madh por në fund ka triumfuar boksieri kuqezi me rezultatin 2-1. Ai ka arritur të marrë fitoren nga vlerësimi i gjyqtarit azerbajxhanas që ka dhënë rezultatin 29-28 si dhe të atij nga Kazakistani që ka dhënë të njëjtin vlerësim. Ndërkohë, i vetmi gjyqtar që i dha fitoren boksierit çek ka qenë gjyqtari nga Gjeorgjia megjithatë kjo nuk ka ndikuar në rezultatin përfundimtar që i ka dhënë fitoren boksierit tonë i cili në këtë mënyrë ka kaluar në turin tjetër të peshës 75 kg. Me fitore e ka nisur edhe Albi Sorra. Në ndeshjen e peshës 69 kg, ai ka fituar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj grekut Theodoris Ritzakis. Ai ka dominuar në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit dhe kësisoj ka fituar pastër duke kaluar edhe ai në turin tjetër. Pjesmarrja e boksierëve tanë në Kampionatin Europian në këtë mënyrë ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme duke arritur tre fitore në tre ndeshje të luajtura.

www.shkodrasport.com