Ditën e sotme do të startojë Abissnet Superiore për sezonin 2022-2023, teksa ky do të jetë kampionati i 84-të në historinë e futbollit shqiptar. FSHF ka përzgjedhur si ndeshje hapëse atë mes Kukësit dhe Tiranës kampione në fuqi, që do të luhet në orën 17:00 në stadiumin “Kukës Arena” në qytetin verilindor.

Sa i përket formacioneve, te Kukësi, ka dilema pothuajse për të gjitha repartet, përveç portës, e cila do t’i besohet Tafës. Ndërkohë, ka dilema edhe sa i përket rreshtimit në mbrojtje, pasi trajneri Skënder Gega ka provuar atë me tre dhe katër.

Gjithsesi, verilindorët pritet të luajnë me një 4-3-3 në këtë ndeshje, me Haxhiun dhe Ndrecën nga krahët, Isiç dhe Ferreirën në qendër të saj. Në mesfushë, kapiteni Gjelbrim Taipi do të ketë krah vetes Koten dhe Moraesh, ndërsa në sulm është projektuar Daci, i ndihmuar nga Basha dhe Berisha nga krahët.

Nga ana tjetër, sa i takon skuadrës së Tiranës, formacioni mund të jetë me Bekajn në portë. Më pas, Toshevski, Behiratche, Najdovski dhe Ismailgeci. Qefalia dhe Aleksi para mbrojtes, ndërsa në mbështetje të sulmuesit kosovar Hasani, do të jetë treshja Seferi, Kallaku dhe Xhixha. Pak a shumë kjo është skuadra e sezonit të shkuar, por me disa ndryshime rrënjësore.

Ndeshja Kukësi-Tirana do të transmetohet në kanalet e platformës “OverSport”, duke nisur nga ora 17:00 dhe do të luhet në stadiumin “Kukës Arena”. /Maringlen ZHIVANI/

Kukësi-Tirana, formacionet e mundshme

Kukësi (4-3-3): Tafa, Haxhiu, Isiç, Ferreira, Ndreca, G. Taipi, Kote, Moraes, Basa, Berisha, Daci Tr: Skënder Gega

Tirana (4-2-3-1): Bekaj, Toshevski, Behiratche, Najdovski, Ismailgeci, Qefalia, Aleksi, Seferi, Kallaku, Xhixha, Hasani Tr: Orges Shehi

Arbitër: Enea Jorgji