Trajneri aktual i ekipit kombëtar të femrave, Armir Grima, ka folur për situatën që po kalon Vllaznia. Ish-portieri dhe kapiteni i Vllaznisë është ndalur te përgjegjësitë që ka drejtimi i klubit, por edhe vetë lojtarët për situatën e krijuar te kuqeblutë këtë edicion. Grima është skeptik nëse Vllaznia do të arrijë t’i largohet zonës së “play out”- it, e cila kërkon një ndeshje finale për mbijetesën në Shkodër me një nga ekipet e Kategorisë së Parë.

Grima, çfarë po ndodh me këtë Vllazni?

Ajo që po ndodh me Vllazninë besoj është pasojë e mospasjes së një presidenti që duhet të jetë në drejtim për të menaxhuar në mënyrë private ekipin, ashtu siç drejtohen ekipet e tjera të Kategorisë Superiore. Me gjithë angazhimin e kryetares së Bashkisë Shkodër apo të Suadit (administratori Suad Lici) është e pamjaftueshme për të menaxhuar si duhet skuadrën. Për më tepër, një ekip si Vllaznia.


Sa ka ndikuar largimi i trajnerit Mirsad Jonuz dhe a ka qenë ai vendim diçka që shërben si paralajmërim për këtë që po ndodh në klub?

Atë që bëri Jonuz, besoj se e bën vetëm një dezertor. Megjithatë, unë nuk i vë faj, sepse klubi duhet ta kishte larguar atë që para pandemisë. Ai ishte një trajner që e la skuadrën e Vllaznisë në rënie të lirë para, gjatë dhe pas pandemisë.

A ndihet realisht Vllaznia në “play out”?

Vllaznia rrezikon shumë dhe është shumë afër “play out”-it. Mirëpo, unë mendoj se do t’i largohemi kësaj zone. Me lojtarët që Vllaznia ka në dispozicion, duke qenë edhe ata më të përgjegjshëm për të marrë përgjegjësi si dhe duke pasur besim tek aftësitë e tyre, gjithashtu për elementët që ka skuadra, besoj se Vllaznia nuk do të jetë në vend të tetë në fund të këtij sezoni.

Sa ndikim kanë problemet te kjo situatë?

Normale që situata që ishte në klub ka ndikimin e vet, por nuk u duhet lënë çdo gjë problematikave që ekzistojnë. Vllaznia, me synime për të fituar Kupën apo nuk e shikoni të fortë në këtë kompeticion? Kupa duhet të jetë si një ndeshje gjenerale për lojtarët dhe jo të hyjnë në fushën e lojës me stresin e humbjes. Vetëm nëse ndodh kjo gjë, do të besoja që mund të kemi një mundësi për t’u kualifikuar përballë Teutës në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.


Cili është apeli i Grimës për klubin dhe vetë lojtarët?

Apeli im për klubin dhe më shumë për lojtarët është që të jenë më të bashkuar e të marrin përgjegjësitë që duhet të marrin. E them këtë sepse janë profesionistë dhe i kanë aftësitë për të luftuar më shumë sesa vetëm për zonën “play out”. Meqë u zgjidh edhe problemi i pagesave, besoj se janë më të qetë për të luftuar dhe për ta nxjerrë Vllazninë nga ky batak.

Ashtu siç kishin të drejtën e tyre për të kërkuar pagat, besoj se edhe klubi duhet t’ua kërkojë deri më një përgjegjësitë e tyre që kanë karshi ekipit dhe publikut shkodran, që është aq shumë i dhënë mbas kësaj skuadre.