Manchester City e ka mbyllur me fitore vitin 2023, pasi ka triumfuar para adhuruesve të vet me rezultat 2-0 ndaj Sheffield United.

Mesfushori spanjoll Rodri dhe sulmuesi argjentinas Julian Alvarez u përkujdesën për golat e fitores së Cityt. Tani kampioni në fuqi ka 40 pikë në vendin e tretë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

Guardiola ka thënë se duhet të ishin të qartë në fushë për të arritur deri te fitorja ndaj Sheffield.

“Këto ndeshje kërkojnë durim pasi bëhet fjalë për kundërshtarë që mbrohen mirë dhe në thellësi. Duhej të ishim të qetë në fushë, ata nuk kishin ardhur për të ushtruar presion dhe kështu ne duhej të gjenim momentin e duhur për të gjetur hapësirat. Ia dolëm mirë, ishte një periudhë shumë e ngarkuar”.

Trajneri spanjoll tha se për momentin ka një skuadër më të fortë se City dhe ajo është Liverpooli i trajnerit gjerman Jurgen Klopp.

“Gara është e fortë, ne nuk jemi ende në krye dhe Liverpool është një skuadër më e mirë për momentin. Kemi pasur dëmtime dhe probleme, por jemi në lojë dhe kemi fituar shumë tituj në këtë vit”.

“Tani është koha për pak pushim, e kemi të nevojshëm. Janari është një muaj më pak intensiv se nëntori apo dhjetori, ndaj do të përgatitemi mirë për pjesën e mbetur të sezonit”, deklaroi Pep Guardiola. /Telegrafi/