Ish-tekniku i Vllaznisë, malazezi Dervish Haxhiosmanoviç, kampion me këtë skuadër në vitin 2001 dhe po ashtu edhe fitues i Kupës dhe Superkupës me këtë ekip, është optimist për kuqeblutë. Ai e ka ndjekur ekipin në takimin e fundit për Kupë ndaj Kamzës duke dhënë edhe mendimet dhe impresionet e tij për këtë skuadër.

“Deda” siç edhe thirret në Shkodër, është impresionuar nga skuadra e Vllaznisë. “Natyrisht që asnjë nuk ndihet mirë, duke parë ekipin në këtë kategori. Nuk është e drejtë që Vllaznia të jetë në të Dytën.

Por, i tillë është futbolli dhe ka të papritura siç kjo që i ndodhi Vllaznisë. Kjo skuadër e tregoi se nuk ka asnjë diferencë me ekipet e Superiores. Të jem i sinqertë, kam parë dy tablo të Vllaznisë, por e përgjithshmja mund të them se ishte shumë pozitive. Skuadra ka treguar shpirt gare dhe dëshirë për fitore”, u shpreh tekniku malazez.

KUPA
Vllaznia mund të ketë një objektiv tjetër veç kthimit në Superiore. Ajo mund të pretendojë që të shkojë sa më larg në Kupë. I pyetur nëse ka shanse kjo skuadër për një gjë të tillë, Deda shprehet: “Vllaznia ka mundësitë për ta kaluar këtë tur.

Rezultati i parë, pavarësisht se nuk është shumë i favorshëm, sërish mund të them se i jep shanse Vllaznisë për kualifikim. Rrugëtimi në Kupë është i gjatë, por me pak fat dhe me shumë punë e përpjekje skuadra mund të shkojë larg në Kupë. Diferenca e saj me ekipet e Superiores nuk është e madhe”.

ELITA
Rikthimi në elitë me sa duket nga të gjithë, po quhet një detyrë shtëpie për Vllazninë. Një gjë të tillë e theksoi edhe tekniku malazez. Ai ka drejtuar si Vllazninë ashtu edhe ekipin e Erzenit në karrierën e tij, të dy këto skuadra rivale për të qenë në Superiore. “Vllazninë e pret një pjesë e dytë e sezonit jo e lehtë.

vllaznia
Edhe skuadra e Erzenit sidomos në shtëpinë e vet është e fortë, do të jetë rivale e Vllaznisë, por mund të them se skuadra shkodrane në fund të këtij sezoni do të kthehet aty ku i takon, në Superiore. Vllaznia do të kthehet në mes më të mirave, pasi e meriton”, përfundoi trajneri malazez.