Ditë të mira po vijnë mesa duket për futbollistin me origjinë nga Kopliku Andrea Isufaj. Pasditen e sotme ai është shfaqur si protagonist për ekipin e tij Lucchese teksa ka shënuar një gol dhe ka ndihmuar që ajo të marrë një barazim. Në ndeshjen e sotme, e vlefshme për javën e 23-të të Serisë C italiane, gjërat për ekipin e sulmuesit koplikas nuk shkuan mirë në pjesën e parë teksa ai është gjendur në disavantazh të dy golave.

Kjo gjë ka detyruar trajnerin e Lucchese të ndërhyjë duke bërë një zëvendësim dhe në fushë ka hedhur Isufajn, lojtarin që vetëm dy muaj më parë ka mbushur 19 vjeç. Atij i kanë mjaftuar vetëm dy minuta për të shënuar, e ka bërë këtë gjë në minutën e 47-të duke e futur atë në lojë.

Më pas ka qenë Provenzano që në shtesë ka barazuar dhe i gjithë takimi është mbyllur në barazim 2-2. Duhet thënë se vlerësimet për Andrea Isufajn në fund të takimit kanë qenë shumë pozitive. Ky është sezoni i parë që luan me të rriturit për futbollistin që është në pronëse të Kievos.

Kuptohet që kalimi tek Lucchese është bërë me qëllimin e vetëm për t’i dhënë minuta dhe deri më tani, dhe ka luajtur në 16 ndeshje por vetëm për pak minuta në secilën prej tyre. Gjithsesi Andrea është munduar të bëjë më të mirën dhe muajt dhjetor e janar duket se i kanë sjellë fat.

Në muajin e fundit të vitit të kaluar, ai shënoi golin e parë me fanellën e kësaj skuadre, pikërisht ndaj Albissolas që për koinçidencë u mbyll edhe ajo në barazim 2-2. Sot erdhi goli i dytë dhe me siguri që pas tij do të ketë edhe të tjerë.
© shkodrasport.com