Kupa e Shqipërisë në basketboll për meshkuj dhe për femra tashmë ka mbërritur në raundin çerekfinal, i cili do të luhet më 23 dhe 24 janar. Pikërisht për zyrtarizimin e çifteve të këtij raundi, pas së cilës do të dalin dhe katër më të mirat e Kupës, në mesditën e së hënës, në ambientet e Federatës Shqiptare të Basketbollit, është hedhur shorti.

Me praninë e përfaqësuesve të Flamurtarit, Teutës, Partizani (meshkuj dhe femra), Vllaznisë (meshkuj e femra), Kamza Basket (meshkuj e femra) dhe Studentit janë rrotulluar dhe goglat, ndërsa secila prej skuadrave pjesëmarrëse ka tërhequr numrin e vet. Formula, duke ruajtur renditjen e sezonit 2018-2019, është 1-8, 2-7, 3-6 dhe 4-5, ndërsa çifti Vllaznia – Partizani si për meshkuj, ashtu dhe për femra spikat në këtë raund çerekfinal.

Në përfundim të shortit, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, pasi ka uruar të gjithë komunitetin e koshit për vitin 2020, ka dhënë dhe opinionin e tij në lidhje me këtë raund çerekfinal. “Praktikisht – ka thënë Llazani për RTSH SPORT – ky është aktiviteti i parë për të rritur dhe të rritura.

Megjithëse që në fillimin e vitit kanë nisur aktivitetet për moshat deri në 16 dhe 18 vjeç. Shpresojmë që të jetë një aktivitet cilësor dhe mund të ketë dhe surpriza, ndërsa të gjitha skuadrat janë përgatitur tashmë”. Ndërkohë ende nuk është përcaktuar vendi i finaleve, që do të jenë më 30 dhe 31 janar, si dhe 1 shkurt.

Kandidatura për organizimin e këtyre finaleve ka, por Llazani nuk kërkon të zbulojë emra. “Nesër – shpjegon kryekzekutivi i koshit shqiptar – do të mblidhet Komiteti Drejtues, ndërsa një ndër pikat është dhe vendi i finaleve të Kupës së Shqipërisë. Do të jenë ata që do të marrin vendimin”.

Vllaznia në basketboll për meshkuj në një ngjeshje të kalendarit, ndërsa më 23 janar duhet të luajë në Ligën Ballkanike në transfertën e Rahovecit dhe më 24 janar me Partizanin në Kupën e Shqipërisë. Po kështu më 29 janar do të presë Akademik Bulteks 99 për Ligën Ballkanike e nëse do të kualifikohet më 31 janar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, Llazani pranon që nuk ka ngërç.

“Nuk ka asnjë ngërç. Datat e aktiviteteve janë përcaktuar që në fillim të sezonit, madje dhe datat e Play-off për titull kampion nëse do të kërkohet të luhet me pesë ndeshje. Sigurisht që do të ketë dhe axhustime në mënyrë që të mos pengohet asnjë veprimtari për t’i dhënë mundësi të gjitha klubeve të ballafaqohen denjësisht. Por në tërësi nuk ka ngërç”. Më poshtë ja dhe ndeshjet e raundit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj dhe për femra:

KUPA E SHQIPËRISË NË BASKETBOLL – RAUNDI ÇEREKFINAL

FEMRA (23 JANAR 2020)

VLLAZNIA – PARTIZANI

TIRANA – KAMZA BASKET

STUDENTI – ELBASANI

FLAMURTARI – APOLONIA

MESHKUJ (24 JANAR 2020)
TEUTA – ELBASANI

TIRANA – BARLETI-EAGLES

GOGA BASKET – KAMZA BASKET

PARTIZANI – VLLAZNIA