Erzeni pësoi humbjen e parë për këtë sezon ndaj Bylisit (1-4). Ky ishte një rezultat i paparashikuar, duke parë dhe ecurinë mjaft të mirë të shijakasve në këto javë. Por ky rezultat i ka shërbyer si një dush i ftohtë Erzenit.

Shijakasit janë munduar të hedhin gjithçka pas krahëve dhe e gjithë vëmendja është zhvendosur te përballja kundër Egnatias.

300 tifozët shijakas prezentë në transfertën e Ballshit u shfaqën të zhgënjyer pas ndeshjes nga kjo paraqitje e ekipit të tyre të zemrës, por në rrjetet sociale u vu re një mbështetje e pakushtëzuar dhe ngritje morali nga ana e tyre me mesazhe optimiste. Të njëjtën gjë ka bërë dhe kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana.

Ai ka qenë i pranishëm në seancën stërvitore të radhës, ku ka zhvilluar dhe një analizë me skuadrën e stafin teknik. Ai gjithashtu ka dhënë mesazhe optimiste për lojtarët, duke kërkuar natyrisht reflektim pas humbjes në Ballsh. Drejtuesit e ekipit, së bashku me donatorët, i kanë qëndruar pranë ekipit këto momente, me fokusin tek Egnatia.