Pavarësisht afrimeve të shumta të bëra në ekip, Mjeshtri i Madh i futbollit shkodran dhe atij shqiptar Hysen Zmijani nuk e sheh Vllazninë një ekip pretendent për në Kupat e Europës. Këtë gjë ai e ka deklaruar në një intervistë të dhënë sot për “Panorama Sport” ku është shprehur:

“Të jem i sinqertë nuk e shikoj Vllazninë në mes skuadrave më të mira dhe pretendente për në Kupat e Europës. Janë 5 skuadra që shikoj më mirë sesa ne. Megjithatë ky është një perceptim i parë. Le të besojmë dhe të shpresojmë si përherë për të mirën e Vllaznisë.

Mua nuk më intereson as Bashkia dhe as sponsori, për mua mbi gjithçka është Vllaznia. Le të besojmë, pavarësisht se siç e thashë edhe më lart, jam pak skeptik në këtë drejtim”.

Ish- mbrojtësi i njohur i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare gjithsesi e vlerëson si shumë pozitiv afrimin e sponsorit Xhaferi dhe ndryshimet që ai ka bërë në skuadër.

“Ajo që shikoj dhe referuar kontakteve që kam me z. Xhaferi apo persona të tjerë, është se në klub po punohet. Janë bërë 16 afrime dhe thonë të shikojmë një Vllazni ndryshe, por unë nga jashtë shoh se ky si sponsor nuk e ka të gjithë dorën të lirë. Ka ndërhyrje nga jashtë. Unë nuk e shoh ende si të pavarur në punën e tij”.

Zmijani ka folur edhe për përplasjet në mes Këshillit Bashkiak dhe kryebashkiakes duke qenë se edhe vetë ai ka qenë i zgjedhur në Bordin e Vllaznisë nga Këshilli, por sipas tij, as nuk e ka pyetur kush dhe as nuk do të donte të ishte në një Bord ku nuk e sheh veten, në një Bord që nuk është fiktiv. Për të, e rëndësishme është që të gjendet një zgjidhje përfundimtare për Vllazninë./SHKODRA-SPORT.COM/