Njëra prej figurave më të njohura të Vllaznisë, pikërisht Hysen Zmijani e ndjek me shumë vëmendjen ecurinë e skuadrës shkodrane në sezonin e fundit. Ai kuptohet që si shumë të tjerë është i shqetësuar për ecurinë e saj. Mbrojtësi i njohur i Vllaznisë dhe i ekipit kombëtar flet edhe për trajnerin Vata me të cilin ka luajtur bashkë futboll dhe thotë se prej tij priste pak më shumë megjithatë nga ana tjetër e justifikon sepse sipas tij, këtë brum ka në dispozicion.

 “Është shumë e vështirë të flitet për këtë Vllazni. Situata është negative. Personalisht prisja më shumë nga tekniku Vata, edhe pse ai i vetëm nuk ka çfarë të bëjë. Them kështu, pasi ky është brumi që ka në dispozicion. Mendoj se është gabuar edhe me blerjet në këtë merkato. Vllaznia nuk kishte luksin të largonte dy lojtarë si Sukaj e Vajushi, përkundrazi duhej të bënte të pamundurën për t’i mbajtur, pavarësisht se mbushet arka. Kjo nuk mjafton, pasi në Shkodër kërkojnë një ekip pretendent. Lojtarët e ardhur nuk e kanë justifikuar aspak veten. Nuk mendoj se Vllaznia do të bënte të tilla përforcime për të mos rënë nga kategoria. Skuadra i kishte lojtarët. Megjithatë, Vata vlen për t’u përshëndetur për punën që bën dhe për stimulimin e të rinjve, pasi shikojmë shumë emra që kërkojnë të shpërthejnë. Unë e shikoj të vështirë që Vllaznia të luftojë në kupë. Gjithashtu, e shikoj të vështirë situatën në kampionat. Duhet bërë kujdes që të mos gabojmë e të vihemi në rrezik real. Në këtë sezon klubi duhet ta kishte ndarë mendjen që të ndërtonte një skuadër për të ardhmen dhe pa pretendime. Nuk mendoj se afrimet mund të sjellin të reja dhe mund të vlejnë për të ardhmen, edhe pse është disi herët. Gjithsesi, trajnerit Vata duhet t’i besohet, pasi ka grintë dhe kërkon shumë prej lojtarëve”, – deklaron Zmijani.

Admir URUÇI