Kosova, edhe pse ishte favorite në ndeshjen e djeshme nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 përballë Moldavisë në ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve. Megjithatë, tashmë rezultati ka kaluar në plan të dytë dhe ankthi ka pushtuar ekipin Dardan pasi autori i golit të Moldavisë, Ion Nikolaeskeu ka rezultuar i infektuar me COVID-19 në testimin e kryer pas ndeshjes. Ndërkohë, për “Telegrafin” këtë lajm e ka konfirmuar edhe presidenti i Federatës së Kosovës, Agim Ademi, i cili shprehet se tashmë presin vendimin e UEFA-s.

“Po sapo na erdhi informacioni nga UEFA se sulmuesi i Moldavisë i cili ka shënuar gol ka rezultuar pozitiv me Covid-19 në testin e bërë pas ndeshjes. Vlen të ceket se ai para ndeshjes e ka pasur testin negativ dhe atë dëshmi e ka lojtari dhe UEFA.

Tani jemi në kontakt me UEFA-n dhe vendimi i epilogut të ndeshjes i takon atyre. Jemi duke jetuar në një gjendje të jashtëzakonshme dhe nuk kemi informata të shumta rreth kësaj çështje. Ne do ta pranojmë dhe respektojmë çdo vendim të UEFA”, u shpreh Ademi.

Ndërkohë, kujtojmë se të dielën Kosova ka të parashikuar për të luajtur ndeshjen e dytë në grup, atë ndaj Greqisë. Megjithatë, për momentin gjithçka ka stopuar derisa situate të qartësohet krejtësisht. /VipSport/