Elseid Hysaj do të udhëheqë sot futbollistët kuqezi në fushën e lojës në stadiumin “Olimpik” në Minsk, në ndeshjen që Shqipëria luan kundër Bjellorusisë. Por para ndeshjes, kapiteni kuqezi nuk ka marrë lajme të mira nga Italia, ku negociatat për të rinovuar kontratën me Napolin kanë dështuar.

Menaxheri i tij, Mario Xhiufredi, ka qenë mbrëmë në grumbullimin e Napolit për të diskutuar me presidentin Aurelio De Laurentis rreth mbrojtësit dhe të ardhmes së tij, pasi kontrata i përfundon në verëb e vitit 2021.

Menaxheri kërkonte një rritje rroge për lojtarin që të vazhdonte të mbetej pjesë e Napolit, pasi edhe vetë trajneri Gatuzo e pëlqen dhe e cilëson si pjesë të projektit të tij, meqë është nga ata lojtarë që mund të luajnë në të dy krahët e mbrojtjes.

Por akordi nuk është arritur me klubin që nuk ka pranuar përmirësim të kushteve financiare. Kësisoj, negociatat janë ndërprerë për momentin me Hysajn i cili hyn zyrtarisht në vitin e fundit të kontratës së tij.

Që në shkurt ai mund të jetë i lirë të negociojë me cilëndo skuadër që dëshiron, apo edhe të firmosë me të, pasi në qershorin e vitit të ardhshëm do të largohet si futbollist i lirë nga napolitanët. /vipsport/