Muajt e pandemisë nuk kanë qenë të lehtë për Uilliam Kordeiron. Futbollisti brazilian i Partizanit ka qenë i vetëm në shtëpinë e tij në kryeqytet dhe ka përjetuar aty karantinën e detyrueshme, duke mos dalë jashtë e duke ndjekur me rigorozitet urdhërat e autoriteteve. Por kanë qenë dy muaj të mbushur me stërvitje individuale për të rujtur formën dhe ai beson se do të jetë gati për rifillimin e kampionatit.

“Kemi luajtur ndeshjen tonë të fundit më 9 mars. Janë më shumë se dy muaj që stërvitem i vetëm në shtëpi, me videoconference. Nuk ishte e thjeshtë, por ia dola që të qëndroj i fokusuar dhe ndjehem në formë të mire. Unë besoj se në dy javët që do të kemi stërvitje në fushë, do të jemi në gjendje që të bëjmë një punë të mirë për t’u kthyer më pas që të luajmë përsëri”, tha futbollisti Brazilian i cili është një nga elementët kyç të skuadrës kryeqytetase në një intervistë për mediat në vendlindje.

Objektivi është padyshim ai i sigurimit të pjesëmarrjes në Europë, objektiv i cili sipas Kordeiros është mëse i realizueshëm.

“Jemi vetëm 3 pikë pas vendit të tretë dhe 6 nga skuadra e vendit të dytë, pozicione që të garantojnë një vend në Ligën e Europës 2020-2021. Meqë kanë mbetur 10 ndeshje, besoj se kemi kushtet e duhura për të fituar të drejtën për të luajtur në turnetë kontinentalë”, ishte bindja e Kordeiros. /vipsport.al/