Thomas Strakosha është një nga 10 port ierët më të mirë në Europë. Gardiani i Lacios ka bërë paraqitje spektakolare me bardhekaltrit në këtë sezon dhe ka arritur statistika shumë pozitive, duke u renditur i nënti dhe duke lënë pas portierin e Juventusit, Shezni.

Gazeta “Marca” ka bërë renditjen duke iu referuar një shkrimi për portierin e Realit, Tibo Kurtua, por në fakt bie në sy fakti që portieri i Kombëtares shqiptare renditet në “Top 10”.

STRAKOSHA – Portieri kuqezi renditet i nënti në Europë për golat e pësuar në këtë sezon të Serisë A. Ai ka luajtur 26 ndeshje dhe pa pësuar 23 gola, mesatarisht 0. 88 gola për ndeshje, duke u pozicionuar në një vend të rëndësishëm në të gjithë Europën. Ai ka lënë pas emra të mëdhenj si Nojer, Ter Shtegen, De Gea, Donaruma, Handanoviç dhe shumë të tjerë.

Rritja e Strakoshës në këtë sezon ka qenë e dukshme dhe ai bashkë me Lacion e tij po luajnë për titullin kampion në Serinë A. Strakosha vlerësohet si një nga lojtarët më të shtrenjtë të Kombëtares shqiptare (20 mln), por vlera e tij ka pësuar një rënie 5 milionë euro për shkak të Koronavirusit.

Portieri i parë në Europë për gola të pësuar është Alison Beker. Gardiani i Liverpulit ka luajtur 20 ndeshje në këtë sezon dhe ka pësuar 11 gola. I dyti është portieri Rajkoviç i Reims në kampionatin francez dhe Tibo Kurtua e mbyll podiumin me 24 ndeshje dhe 16 gola të pësuar.

KURTUA – Aventura e belgut në fanellën e Realit të Madridit nuk ka qenë aspak e lehtë. Duhet të zëvendësonte portierin Kejlor Navas, i cili fitoi tre Champions.

Në fillim ai vuajti ashtu si e gjithë skuadra dhe pësoi 48 gola, duke arritur shifrën e dytë më të dobët në karrierën e tij. Por pastaj ia doli që t’i bindte të gjithë dhe të rikthehet mes portierëve më të mirë të ligave europiane. Nëse ka diçka për të cilën bie në sy Kurtua, janë pritjet nga jashtë zonës.

Në 10 goditje që i janë bërë nga jashtë zone, ai nuk ka pësuar asnjë gol dhe ka mbajtur kuadratin e paprekur. Në këtë aspekt është i pari në Europë, ndërsa për goditje brenda zonës ai shkon në vendin e katërt duke ia dorëzuar vendin e parë Jan Oblakut.

Kurtua është i treti për gola të pësuar në Europë dhe këtu duhet të falënderojë edhe aspektin mbrojtës që ka krijuar trajneri Zinedin Zidan. Te Reali tregohen më të kujdesshëm në aspektin mbrojtës, pastaj mendojnë për sulmin.