Një mesditë për t’u mbajtur mend për Mauro Icardin, që pikërisht në ‘Marassi’, ku festoi për herë të parë një gol të shënuar në Serinë A, provoi edhe shijen e të shënuarit 4 herë në një ndeshje.

Kapiteni i Interit është rikthyer më i fortë se kurrë dhe arriti t’i orientojë zikaltrit drejt fitores në një transfertë shumë të vështirë, ku ka ‘ulur kokën’ edhe vetë Juventusi.

Të thirrur në apel nga Spalletti, për të treguar se kanë kualitet dhe cilësi për të merituar një vend në zonën Champions, futbollistët e Interit nuk zhgënjyen dhe morën menjëherë kontrollin e lojës në Genova.

Fillimisht Icardi ‘qeth’ një krosim të Cancelos, por pa e devijuar drejt rrjetës, ndërsa më pas është vetë mbrojtësi portugez, që nga goditja e këndit gjen traversën e Vivianos.

Kaq mjaftoi për të kuptuar se goli ishte vetëm çështje minutash dhe pikërisht në të 21-tën, Cancelo ‘pikturon’ një krosim në hyrje të zonës për Perisiç, ndërsa kroati me mjeshtëri e dërgon topin në trekëndëshin e portës së Vivianos.

Zikaltrit marrin zemër nga avantazhi dhe ‘derdhen’ në gjysmëfushën e Sampdorias, ndërsa në minutën e 29’ fitojnë një 11-metërsh me Rafinhën, të cilin e ekzekuton Icardi dhe mposht për herë të dytë portierin e Sampit.

Vetëm dy minuta më pas, sërish Cancelo fton Perisiç në thellësi të zonës, ndërsa topin e kthyer nga kroati, e zotëron Icardi, që me shpinë nga porta, godet me finte dhe e dërgon topin sërish në rrjetë.

Pas vetëm 31 minutash lojë, Sampdoria duket e dorëzuar, ndërsa trajneri Giampaolo largon nga fusha Berzezinskyn, i zhgënjyer nga paraqitja e polakut.

Në minutën e 44-t, Interi del sërish rrezikshëm dhe Rafinha tenton të imitojë Icardin. Fantazisti brazilian godet me finte por Viviano reagon duke e grushtuar topin, që gjithsesi shkon në këmbët e Icardit dhe kapiteni i Interit e dërgon në rrjetë, për ta çuar rezultatin 4-0.

Fillimi i pjesës së dytë ka të njëjtën tablo si e para, teksa në minutën e 51-të, sulmuesi argjentinas gjen golin e tij të 4-t në këtë sfidë, falë një goditjeje mjeshtërore, plot klas.

Minutat në vijim, Interi menaxhon lojën, ndërsa Spalletti largon nga fusha Icardin, për t’i hequr makthin vendasve.

Pa akorduar asnjë minutë shtesë, Tagliavento vërshëllen fundin e sfidës, ndërsa Interi me këtë fitore rikthehet në vendin e 4-t të renditjes, në pritje të sfidave të tjera.