Një jetë e kaluar me futboll nuk harrohet lehtë. Pavarësisht se mund të kesh kohë që i ke dhënë fund karrierës, topi, fusha, ndeshjet, kundërshtarët dhe atmosfera e krijuar nga tifozët, të thërrasin dhe tundohesh të veshësh sërish këpucët e varura në gozhdë.

Ronaldo është një nga më të mëdhenjtë e historisë së këtij sporti. Nëse nuk do të humbiste disa vite të mira për shkak të atyre dëmtimeve të mallkuara, ish-sulmuesi fenomenal do të ishte më i miri absolut. Ai nuk kishte rivalë dhe 14 tetorin e vitit 2011 u tërhoq nga futbolli.

Ishte 34 vjeç dhe zgjodhi një datë të veçantë për t’i dhënë fund dashurisë së tij më të madhe. Prej 3 shtatorit të vitit 2018 qëndron në postin e presidentit të Valladolid, skuadër që garon në elitën e futbollit spanjoll.

“Më shkoi ndërmend të rikthehesha në fushë në momentin që bleva Valladolid. Doja të bëja një sakrificë, të stërvitesha 3-4 muaj dhe të luaja ndonjë ndeshje. Por është një vuajtje e madhe dhe djemtë e sotëm janë shumë të shpejtë”, deklaron Ronaldo gjatë një bisede në rrjetet sociale me Juan Sebastian Veron.

Ish-fituesi i Kupës së Botës dhe “Topit të Artë”, ishte 41 vjeç, shumë i vjetër për të rinisur sërish futbollin. Dëshira u venit dhe ai u mjaftua me rolin e presidentit të klubit. “Ishte një ide që u shua shpejt”, përfundon Ronaldo. /abcnews/