Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, është shprehur se nuk do ta lejojë skuadrën e tij të zbresë në fushë dhe të rrezikojë, pa pasur një garanci nga Ministria e Shëndetësisë.

Në një prononcim të dhënë për “TvT”, Idrizi u shpreh se ky është një moment shumë i mirë që diçka të ndryshojë në futbollin shqiptar, duke thënë se bashkitë nuk mund të japin lekë.

“Nëse Ministria mua më jep garanci që nuk më ndodhë gjë, as lojtarëve të mi, por as të mysafirëve, deh askush nuk më merr mua si shkaktar të sëmundjes së dikujt tjetër, atëherë patjetër që nisim. Por unë nuk e nxjerr ekipin pa u qartësuar. Se nuk e di se çfarë do të ndodhë nëse infektohet dikush në lojë, pasi me ligj ndëshkohem unë si organizator.

Një lojtar për shembull thotë u sëmura në Vlorë gjatë ndeshjes me Flamurtarin, kush do ta mbajë përgjegjësinë e kësaj?

Çdo skenar është i mundshëm, ky është një moment shumë i mirë që diçka të ndryshojë në futbollin shqiptar. Unë e kam thënë se futbolli shqiptar e ka humbur masivitetin. Nuk janë më qytetet në Shqipëri në lojë. Unë i qëndroj kësaj: 1. Ligji për Futbollin, dhe 2. Masivitet me skemën.

Bashkitë nuk kanë shanse që të japin më lekë, pasi jemi në krizë, jemi në luftë apo jo? Ne themi kur do të fillojë kampionati, por atë po e pezullon Franca, po e pezullon Holanda. Çfarë humbje kemi ne nga marketingu, nga e drejta televizive, çfarë humbje kemi ne nga biletat?”, u shpreh Idrizi.