Një histori e çuditshme vjen nga Anglia, aty ku portieri Ted Smith ka vendosur t’i jap fund me futbollin në moshën 24-vjeçare. Smith ishte pjesë e Sauthend në Ligën e Parë angleze, ndërsa pak muaj më parë kishte përfunduar si objektiv i trajnerit Hoze Murinjo, që e kërkonte te Totenhemi.

Megjithatë, Smith ka marrë vendimin dhe e ka arsyetuar duke u shprehur se thjesht ka humbur pasionin. “Nuk është faji im, nuk do të doja të arrija në këtë pikë. I adhuroj ndeshjet e stërvitjet, por presioni ishte i tepërt për mua.

M’u desh një kohë e gjatë për ta vlerësuar dhe për të mbërritur në këtë vendim. Të rëndon kur iu thua njerëzve që do të largohesh nga një punë e cila është ëndrra e të gjithëve. Duhet t’i shijosh ndeshjet dhe unë provova, por nuk ia dola me sukses.

Kisha frikë të luaja. Pas ndeshjeve shikoja rrjetet sociale dhe atë se çfarë njerëzit flisnin. Sa herë që lexoja komente negative, ato më bënin shumë përshtypje. Sigurisht, mund të ketë shumë njerëz që gjenden në situatën time.

Shpresoj që këto që flas të mund t’i ndihmojnë sepse në jetë ka më shumë se të jetosh me stresin e një ndeshje futbolli”, u shpreh Smith. /VipSport/