Pritet vetëm zyrtarizimi, por Simone Inzagi do të jetë trajneri i ri i Interit. Tekniku i ka dhënë sot lamtumirën Lacios, më pak se 24 orë pasi kishte gjetur akordin për të rinovuar kontratën në një takim me Klaudio Lotiton e Igli Taren.

Inzagi priste prej kohësh rinovimin dhe palët janë ulur në tavolinën e bisedimeve. Ai kërkonte 2,8 milionë euro në sezon e Lotito i ofroi 2,32 milionë euro. Megjithatë, ish-sulmuesi ishte gati të firmoste edhe me këto kushte dhe në klub e pritnin për firmën.

Por nga kjo situatë paqartësie e Lacios ka përfituar Interi, që i ka bërë atij një ofertë me një kontratë prej 4 milionë eurosh në sezon,

Kështu, Inzagi sot pasdite ka lajmëruar klubin e Lacios se nuk do të rinovonte, dukë ndryshuar gjithçka brenda 24 orësh. Një situatë e papritur për Lacion që ka zyrtarizuar divorcin me një njoftim ku nuk i ka përmendur as emrin.

“Respektojmë ndryshimin e mendjes së një trajneri, e më parë të një lojtari i cili për shumë vite ka lidhur emrin me familjen e Lacios dhe shumë sukseseve bardhekaltër”, shkruante klubi në njoftim. Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi te Interi, ndërsa Lacio nis kërkimin për trajnerin e ri. /vipsport/