Interi nuk gabon përballë Sassuolos në javën e 35-të të Serie A dhe merr vendin e tretë në tabelën e klasifikimit. Skuadra zikaltër mposht me rezultatin 4-2 të besuarit e Dionisit në një sfidë spektakolare që kishit mundësi ta ndiqnit live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe në platformën Tibo.

Ndeshja nis menjëherë me ritëm me Romelu Lukakun që ka mundësinë e parë, por bllokohet nga mbrojtja kundërshtare. Ndërkohë që Domenico Berardi hesht “Giuseppe Meazzan” në minutën e 11-të, pasi çon topin në rrjetë, por për fatin e mirë të zikaltërve, sistemi VAR e anulon për një pozicion jashtë loje. Pak minuta më vonë realizon edhe Interi me Joaquin Correa, por sërish goli anulohet nga sistemi VAR, po për një pozicion jashtë loje.

Megjithatë, në minutën e 41-të, Romelu Lukaku merr një pasim në thellësi nga D’Ambrosio dhe mbron mirë topin, kthehet e më pas lëshon një predhë nga distanca për të zhbllokuar rezultatin e takimit. Një supergol nga sulmuesi belg që çon zikaltrit në dhomat e zhveshjes në avantazhin e një goli.

Në fraksionin e dytë, sfida bëhet edhe më shumë interesante. Zikaltrit dyfishojnë shifrat falë një autogoli të Tressoldit që devijon në portën e tij një harkim të fuqishëm të Bellanovas. Tre minuta më vonë, Tressoldi bëhet sërish protagonist, këtë herë duke devijuar një goditje të Lautaro Martinez që realizon golin e tretë të zikaltërve.

Duket se gjithçka është e mbyllur për tre pikët e Interit, por Sassuolo kthehet në lojë me Matheus Henrique që realizon me kokë, pas një harkimi të bukur të Berardit. Interi provon të menaxhojë rezultatin, por situata kthehet edhe më e sikletshme, pasi Frattesi i çon shifrat në 3-2.

Tashmë zikaltrit janë nën presion dhe nuk dëshirojnë të humbasin tre pikë që i dukeshin të sigurta më parë. Në minutën e 90-të, Inzaghi dhe të besuarit e tij mund të marrin frymë lirisht, pasi Romelu Lukaku gjen golin e katërt për Interit që vulos edhe rezultatin final të takimit.

Me këtë fitore, Interi ngjitet në vendin e tretë me 66 pikë, po aq sa Juventusi i vendit të dytë, dhe përfiton nga ndalesa e Milanit dhe Lazios. Zikaltrit janë në +2 nga Lazio dhe +5 nga Milani i vendit të pestë. /oversport.tv

Foto: Inter, Twitter