E ka nisur kampionatin aktual, aty ku la atë të kaluarin. Duke qenë protagoniste për ekipin e Vllaznisë. Basketbollistja Imela Mala ka spikatur që në ndeshjen e parë duke shënuar 29 pikë në ndeshjen ndaj Studentit dhe duke ndihmuar ekipin e saj ta fitontë atë.

17 vjeçarja është një nga lojtaret e talentuara të ekipit shkodran dhe padyshim që trajneri Gjeçaj e vlerëson maksimalisht, e njëkohësisht po e ndihmon të punojë edhe më shumë dhe të rritet nga ana profesionale.

Imela ndërkohë ka pranuar të flasë për gazetën “Shkodra Sport”. Me gazetaren Fabiola Caka, ajo ka rrëfyer mënyrën si u lidh me basketbollin dhe ëndrrat e saj. Ndiqeni më poshtë intervistën me të:

– Imela, si ka lindur dëshira dhe pasioni për basketbollin?

E gjitha ka qenë një rastësi. Basketbolli për mua ishte një sport shumë pak i njohur dhe nuk bënte pjesë në preferencat e mia. Para 6 vitesh motra ime stërvitej në ekipin e të rejave të Vllaznisë dhe trajnerja e asaj kohe Xhuli Shestani insistoi që t’i bashkohesha edhe unë ekipit të tyre dhe pse jo dhe unë vendosa të provoj një eksperiencë të re.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për këtë sport?

I gjithë sporti në vetvete është një sakrificë pasi të zë një pjesë të konsiderueshme të ditës por mendoj që periudha më e vështirë ishte kjo e pandemisë.

Për shkak të mbylljes së Pallatit të Sportit e të palestrave të mbyllura për një kohë relativisht të gjatë si dhe mungesës së palestrave në ambient të hapur, gjetja e një fushe basketbolli me kushte minimale ishte shumë e vështirë,madje në shumë raste edhe e pamundur.

– Si sterviteni, si punoni?

Ne kemi vite që punojmë me njëra-tjetrën dhe stërvitemi çdo ditë nga dy trajnerët tanë Bledar Gjeçaj dhe Afërdita Rakaj por përveç seancës stërvitore mundohem gjithmonë të gjej sado pak kohë për të bërë stërvitje individuale. Basketbolli tashme eshte shnderruar ne dashurine time te madhe.

– A mendoni se Federata Shqiptare e Basketbollit i ka kushtuar rëndësinë e duhur këtij sporti?

Besoj se deri tani ka arritur të bëjë një punë mjaft të mirë, por unë si pjesë e ekipit të femrave të Vllaznisë mendoj që ekziston një diferencë e madhe vlerësimi mes nesh në krahasim me atë të djemve.


– Jeni pjesë edhe e Kombëtares së moshave gjithashtu,sa e kënaqur jeni me paraqitjet dhe arritjet tuaja?

Po është e vërtetë,mendoj që me punë dhe dëshirë çdo gjë mund të arrihet në mënyrë graduale ashu siç janë edhe arritjet e mija në ketë sport. Besoj se deri tani kam bërë një punë të kënaqshme e cila dita-ditës shoqërohet me rritjen e kërkesës ndaj vetes.

– Cila është ëndërra juaj më e madhe apo synimi që keni për të ardhmen?

Më pëlqen shumë që të luaj për vendin tim por sigurisht që dëshira për basketbollin nuk mbetet vetëm brenda territoreve të Shqipërisë, prandaj besoj dhe shpresoj që të arrij sa më lart.
Intervistoi: Fabiola CAKA