Mario Mitaj ka qenë një nga zbulimet e këtij edicioni tek kombëtarja shqiptare. 19-vjeçari nga Vermoshi, por që është lindur dhe rritur në Greqi tashmë aktivizohet në kampionatin rus të futbollit.

Për “Shkodra Sport” ai flet në një intervistë duke treguar për nisjen e sezonit të ri në Rusi, objektivat e tij personal dhe po ashtu ëndrrën për të kualifikuar në Euro 2024 me kuqezinjtë.

-Mario, si shkuan këto përgatitje verore me skuadrën tënde të Lokomotivës së Moskës?

Ka qenë me të vërtetë një periudhë intensive me stërvitje sepse kampionati do nisë në këtë fundjavë në Rusi. Skuadra besoj se është gati për një sezon pozitiv, ku patjetër shpresoj të bëj edhe unë sa më mirë.


-Sezoni i dytë në Rusi, si ndihesh?

Mendoj se jam më gati se sa para 1 viti ku u transferova këtu. Ishte transferimi im i parë e ndoshta kisha vështirësi me përshtatjen në fillim. Por fundi i sezonit të shkuar ishte goxha pozitiv për mua, ku patjetër dua akoma më tepër përmirësim në edicionin e ri.

-Ndryshon shumë futbolli rus nga ai grek ku ti je rritur?

Në Rusi bëhet një futboll shumë atletik dhe fizik. Duhet të jesh goxha i përgatitur fizikisht për ta përballuar. Këtu janë thuajse gjithë ekipet shumë të forta dhe të mirë investuara. Ku pavarësisht dënimit për të mos marrë pjesë në kompeticionet europiane, niveli nuk ka rënë në kampionatin rus.


-Çfarë duhet të presim nga ju vetë personalisht këtë sezon?

Unë dua të bëj sa më mirë në çdo moment. Të përmirësohem çdo ditē sepse ende kam shumë për të mësuar nga futbolli. Premtoj se gjithmonë do jap më të mirën time në çdo sfidë që do jem në fushë.


-Të kalojmë pak të kombëtarja, dy ndeshjet e fundit ishe titullar absolut. Duket se Sylvinho beson shumë tek ti apo jo?

Kombëtarja është një ëndërr për çdo futbollist. Besoj se i bëmë një mbyllje të mirë gjysmës së parë të edicionit. Besimin e trajnerit e vlerësoj shumë dhe do përpiqem që ta justifikoj çdo herë.

-Një objektiv për sezonin e ri?

Të luaj sa më shumë me Lokomotivën e Moskës. Të marr minutat e duhura me performancën e duhur e patjetër lojërat me kombëtaren. Ku besoj që jo vetëm unë, por të gjithë në Shqipëri duan kualifikimin e kombëtares në Euro 2024 në fund të këtij edicioni.
Intervistoi: Endri ÇINARI