Ditën e nesërme, Vllaznia e femrave do të zhvillojë ndeshjen e rradhës kundër Apolonisë, të vlefshme për javën e 16-të të kampionatit të femrave.

Mesfushorja e mirënjohur, Megi Doçi, në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, është shprehur se mezi pret ta luajë këtë ndeshje dhe për më tepër ndaj këtij kundërshtari, siç është Apolonia. Doçi ka folur në lidhje me këtë ndeshje të rëndësishme, si edhe ka treguar atmosferën në kampin kuqeblu.

Poashtu, Megi Doçi komentoi fillimisht gjendjen e ekipit, teksa u shpreh se vajzat janë në formë të mirë, ndërsa theksoi se grupi është me këmbë në tokë, pasi e di mjaft mirë që Apolonia është një nga ekipet më të forta në futbollin e femrave në Shqipëri, megjithatë për ekipin është e rëndësishme, të bëjë një ndeshje të mirë dhe të marrë maksimumin, fitoren, teksa Doçi kërkon vetëm tre pikët.

“Nesër ndaj Apolonisë do të jetë një ndeshje kryesore dhe deçizive për kampionatin. I kemi dhënë vlerësimin e duhur ekipit të Apolonisë, jo për kualitetet që ka brenda, por për pozicionin që ka në tabelë. Sigurisht, e pres me shumë emocion ndeshjen ndaj Apolonisë, pasi kemi çfarë për të dhënë dhe për t’iu treguar atyre që futbolli luhet në Shkodër dhe shijohet në mënyrën më të bukur po këtu.

Padiskutim që, objektivi jonë do të jetë fitorja, pasi nëse nuk mundim një kundërshtar të tillë, siç është Apolonia, çfarë vlere ka që të ikim më lart.

Patjetër që po, ne do ia dalim të marrim tre pikët dhe të shkëputemi disi. Vllaznia është etalioni i futbollit të femrave dhe do të jetë e tillë. E kemi treguar me ndeshje të bukura, kundërshtarë të forte. E kemi treguar në nivele të larta që dimë të luajmë futboll të bukur dhe të fitojmë bindshëm dhe me emocion.

Harmonia është pika më e fortë në ekip. Grupi është paraqitur mjaft mirë gjatë javës. E kemi përgatitur lojën me bindje, për ta fituar atë.

Kemi përjetuar ndeshje me shumë emocione, por e presim me dëshirë për të luajtur ndaj Apolonisë. Për ta dominuar Apoloninë në çdo pjesë të fushës dhe për t’i dhënë emocione çdo shikuesi, që do jetë në shkallët e fushës “Reshit Rusi”.

Sigurisht, luajmë në fushën tonë para tifozëve të mrekullueshëm të Vllaznisë. Ekipi është në gjendje mjaft të mirë. Le t’u tregojmë nesër si dhe ku luhet futboll i bukur. Nesër ndaj Apolonisë do të jetë patjetër sfida e “hakmarrjes”.

Synimet e ekipit tonë janë përtej kampionatit. E kemi treguar në nivelet më të larta të futbollit, por fokusi mbetet te ndeshja e nesërme, për të marrë tre pikët dhe të vazhdojmë në rrugën e duhur, për shpalljen e ekipit kampion.

Sigurisht, që jam shumë e lumtur për çdo rekord të thyer. Jam akoma me kokën lart për të thyer edhe shumë rekorde të tjera, sepse puna nuk mungon kurrë.

Ka kohë të flasim për të ardhmen time, por le të mbesim te emocionet e kësaj ndeshje ndaj Apolonisë dhe përfitoj nga rasti të ftoj gjithë tifozët e mrekullueshëm të Vllaznisë, të jenë pranë nesh në këtë ndeshje. Jam besimplotë në fitore dhe di të them se emocione të bukura, na presin nesër”,-mbylli prononcimin e saj, mesfushorja e Vllaznisë, Megi Doçi.
Maringlen ZHIVANI