Vitet e fundit, Vllaznia po vuan për sulmues, por duket se në gjirin e saj ka futbollistë që premtojnë shumë për të ardhmen. Njëri prej tyre është pikërisht Mehdi Çoba, i cili në miqësoren e djeshme ka spikatur me lojën dhe golin e tij.

Në fakt, kuptohet që ëndrra e tij është të luajë si titullar me Vllazninë dhe të jetë një futbollist kyç në repartin e sulmit, por ai thotë se mundësitë që i jepen mundohet t’i shfrytëzojë në maksimum, pastaj pjesa tjetër i takon trajnerit Josa.

Çoba, duke dhënë një intervistë për gazetën “Shkodra Sport”, u shpreh se është shumë i kënaqur me golin që shënoi, ndërsa theksoi se çdo herë pret rastin e tij për të bërë detyrën që i takon në repartin e sulmit, atë të shënimit të golave.

“Goli në miqësoren e djeshme? Ndihem shumë mirë. Po punojmë shumë që të arrijmë maksimumin dhe të japim më të mirën në fushë. Jam i kënaqur me lojën e ekipit dhe pastaj me golin që arrita ta shënoj.

Unë çdo herë pres të më jepet rasti dhe ta shfrytëzoj në maksimum. Unë bëj thjesht detyrat që më takon dhe çfarë më jepet për të bërë, pastaj është zgjedhje e trajnerit Josa dhe stafit, që të vendosin më të mirën për ekipin.

Dy vite me Vllazninë, sivjet i treti për ju? Po, është edhe krenari, edhe kënaqësi, që të mbash veshur fanellën e qytetit për disa vite dhe unë ndjehem shumë mirë dhe po e shijoj çdo ditë me shokët e ekipit.

Objektivat personale për të ardhmen? Objektivat e mia personale janë që të paraqitem sa më mirë me ekipin e Vllaznisë dhe pastaj të shikoj ndonjë ofertë nga jashtë, pse jo edhe të kap Kombëtaren, që është ëndrra e çdo futbollisti”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, sulmuesi i Vllaznisë, Mehdi Çoba.
Maringlen ZHIVANI