Samuel Nikaj, një ndër trajnerët më të mirë shkodranë që aktualisht drejton tek Pogradeci, po arrin sukseset maksimale me skuadrën liqenore. Ish-trajneri i Vllaznisë, me ekipin e tij të Pogradecit, kryeson renditjen e kampionatit të Kategorisë së Dytë në shtatë javë të luajtura deri më tani.

Në fakt, Pogradeci i këtij sezoni duket krejt tjetër që kur Samuel Nikaj ka marrë detyrën si trajner te kjo skuadër. Me emërimin e tij si trajner te liqenorët dhe me startin e sezonit të ri në Kategorinë e Dytë, duket se gjërat kanë rënë në “binarët” e duhur, pasi tekniku shkodran ka vendosur dorën e tij mbi ekipin dhe rezultatet flasin më së miri.

Gjashtë fitore në shtatë ndeshje, prej tyre pesë fitore rradhazi, ku spikat fitorja në debutim përballë Devollit në derbi 2-1, janë shifrat magjike që ka arritur trajneri shkodran me të marrë drejtimin e Pogradecit. 16-gola të shënuar dhe vetëm katër të pësuar janë shifra që do t’i kishte lakmi çdo trajner tjetër, për më tepër që ka grumbulluar 19-pikë dhe nëse kampionati do të mbyllej tani, atëherë Pogradeci do të ngjitej në Kategorinë e Parë, si kryesuese e renditjes.

Ndërkohë, në një intervistë për “Shkodra Sport”, vetë Nikaj shprehet se shpreson shumë që Pogradeci të vazhdojë me këtë ritëm, ndërsa theksoi se deri më tani është shumë i kënaqur me futbollistët e ekipit të drejtuar prej tij. Në fakt, edhe në deklarata, ai është i thjeshtë dhe modest, teksa Nikaj padyshim që mbetet një ndër trajnerët shkodranë më të mirë dhe më të suksesshëm.

Realisht, edhe mënyra se si është ndërtuar Pogradeci i këtij sezoni tregon se objektivat janë shumë serioze dhe ngjitja një kategori më lart është një detyrim për trajnerin shkodran. Ky do të ishte ekipi i katërt me të njëjtin sukses nën drejtimin e Samuel Nikajt pas Flamurtarit të Prishtinës, Kastriotit të Krujës dhe Vushtrisë.

Megjithatë, për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e tij për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.

-Profesor Nikaj, keni drejtuar disa ekipe në kategoritë e vendit tonë, por jo vetëm, madje edhe në Kosovë dhe tashmë jeni pjesë e Pogradecit, si ju duket se po shkon kjo eksperiencë?

Në fakt, siç e kam theksuar gjithmonë, futbolli është i bukur në çdo lloj kategorie. Kam pasur fatin që kam drejtuar ekipe moshash, ekipe të para në Kategorinë e Parë, Superiore dhe tashmë në Kategorinë e Dytë. Unë ndiej të njëjtin pasion dhe punoj me të njëjtin impenjim, pavarësisht moshave dhe kategorive ku drejtoj. Në Pogradec kam marrë përsipër ngjitjen e ekipit një kategori më lart dhe me ndihmën e Zotit, shpresoj t’ia dal. Në shtatë javët e para kemi patur rezultate pozitive dhe shpresoj të vazhdojmë me të njëjtin ritëm.

-Edhe javën e shkuar arritët të merrnit një fitore në transfertë ndaj Albpetrolit në Patos, i kënaqur besoj apo jo?

Realisht, jam shumë i kënaqur me impenjimin dhe qetësinë që shfaqëm në interpretimin e një 90-minutëshi shumë delikat. Ne ditëm të marrim maksimumin në një ndeshje shumë të tensionuar. Shpresoj që Albpetroli me të njëjtin nerv të luajë edhe kundër ekipeve të tjera pretendente.

-Profesor Nikaj, gjashtë fitore në shtatë ndeshje, prej tyre pesë fitore rradhazi, cili është çelësi i këtij suksesi që ju keni gjetur me këtë ekip?

Ekipi i Pogradecit është një ekip që në vitet e fundit i ka dhënë tonin Kategorisë së Parë, ku ka prodhuar futboll spektakolar. Detyra ime është që të ndërroj pak stilin, sepse për të fituar një kampionat duhet më shumë ekuilibër dhe pragmatizëm në lojë. Javët e para kemi patur luhatje në lojë, por tre javët e fundit kam parë skuadrën që dua.

-Sa larg mund të shkojë Pogradeci këtë sezon?

Shpresoj dhe besoj që t’ia dalim të kapim vendin e parë dhe të ngjitemi aty ku e meritojmë, pavarësisht se gara do të jetë e ashpër. E them një gjë të tillë, duke parë që kemi rivalë si Elbasani, Labëria, Luftëtari dhe Devolli, që me traditën dhe kontigjentin e futbollistëve që kanë, mund të garojnë pa frikë në Kategori të Parë.

-Profesor Nikaj, do të ndërhyni në merkaton dimërore me afrimin e ndonjë futbollisti tek ekipi i Pogradecit, pse jo edhe shkodranë, ka nevojë ekipi për afrime?

Në janar do të shohim dhe do të mësojmë gjithçka. Në qoftë se, do të kemi nevojë për përforcime do të marrim, edhe pse nuk e besoj një gjë të tillë, pasi kam organikë të kompletuar.
Intervistoi: Maringlen ZHIVANI