Fitorja ndaj Lushnjës ka rikthyer për momentin optimizmin në radhët e Vllaznisë. Ishkapiteni i kuqebluve, Elvin Beqiri, e vlerëson si mjaft të rëndësishëm trepikëshin e siguruar që e ka nxjerrë për momentin skuadrën e Gjokës nga zona e ftohtë e tabelës së klasifikimit.

“Fitorja ndaj Lushnjës kishte një rëndësi të veçantë për ekipin tonë. Ndoshta ishte një nga takimet më decizive për vetë faktin se kishim të bëjmë me një kundërshtar direkt në garën për mbijetesë.

Një fitore që, për mendimin tim, erdhi në momentin e duhur për të kthyer deri diku qetësinë në skuadër.

Situata nuk ishte pozitive dhe natyrisht që me një fitore nuk kalon, por duhet vlerësuar fakti se ekipi në këtë ndeshje nuk bindi me lojë.

Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se kemi siguruar edhe tri pikë të arta”, ka thënë fillimisht Beqiri ne prononcimin per “Panorama Sport”, i cili kërkon më shumë mbështetje për ekipin.

SFIDA – Por, Vllaznia do të ketë një tjetër test të rëndësishëm këtë fundjavë ndaj Teutës. Shkodranët, pas fitores së arritur ndaj Lushnjës dhe hapit fals të Tetës në shtëpinë e vet, kanë kaluar këtë skuadër në renditje me një pikë diferencë.

Një fitore e kuqebluve do të bënte të mundur ngjitjen disa shkallë në tabelën e klasifikimit.

“Ndaj Teutës do të jetë një tjetër përballje decizive. Një tjetër skuadër direkte në luftë për mbijetesë.

Fitorja me Lushnjën do të sfumohet nëse nuk arrihet një tjetër fitore me Teutën. Unë shpresoj dhe besoj se ekipi ka mundësitë për ta bërë një gjë të tillë.

Nëse arrihet kjo fitore, atëherë Vllaznia do të lerë pas edhe një tjetër skuadër dhe do të jetë disi më e qetë. Shpresoj që me Teutën të mos përsëritet i njëjti gabim si në fazën e parë. Kjo do të ishte fatale”, ka vazhduar ish-futbollisti i kuqebluve.

VAZHDIMËSIA – Beqiri është optimist se nëse skuadra vijon që të ketë një ecuri pozitive në rezultate dhe në lojëra, atëherë sigurimi i mbijetesës do të mund të garantohet para takimit të fundit të kampionatit.

“Që Vllaznia do të vuajë këtë sezon për të siguruar mbijetesën, këtë besoj se e dinë tanimë të gjithë. Por, unë shpresoj që të ndryshojmë ndonjë gjë për mirë dhe shumë shpejt të arrijë të krijojë një stabilitet si në rezultate dhe pastaj edhe në lojë.

Në dy takimet e para të këtij vitit lamë për të dëshiruar. Në takimin me Lushnjën u pa një ndryshim në repartin e mbrojtjes. Shpresoj që të fillojë edhe rritja e nivelit të lojës dhe harmonizimi.

Këto do të bënin të mundur edhe ardhjen e rezultateve pozitive dhe natyrshëm dhe kthimin e qetësinë e besimit. Shpresoj që kjo Vllazni të mos na lërë me “zemër të ngrirë” deri në momentet e fundit si sezonin që shkoi”, ka mbyllur Beqiri.