Vllaznia do luajë ditën e nesërme një ndër sfidat më historike të futbollit tonë, për të mos thënë pikërisht duelin që përfaqëson identitetin e futbollit shqiptar. Pikërisht do luhet derbi i Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë. Një duel që i gjen të dy skuadrat në formën e duhur sportive dhe që pritet të dhurojë një spektakël për të gjithë.

Por ajo që ka shqetësuar tifozerinë shkodrane është pikërisht dita dhe më tepër orari i ndeshjes. Takimi do luhet të premten në orën 16:00. Një ditë ku shumica e njerëzve janë të zënë me aktivitetet e tyre të përditshme dhe që shumë kënd mund ta kushtëzojë për të udhëtuar drejt kryeqytetit dhe të mbështesë skuadrën kuqeblu.

Por duket se gjithçka në Shkodër “harrohet” kur bëhet fjalë për Vllazninë. Nga burime të ndryshme për “Shkodra Sport” konfirmohet e jo vetëm tifozët e organizuar të grupit ultras të Vllaznisë, por edhe shumë qytetarë të tjerë do jenë nesër në mbështetje të skuadrës. Në përballjen kundër Tiranës, që do zhvillohet në “Selman Stërmasi” do ketë patjetër përfaqësues të ngjyrave kuqeblu.

Dhe lojtarët në fushë do kenë edhe atë që shpesh cilësohet si lojtari i “12-të” në shkallët e stadiumit. Duket se performanca e fundit kundër Kukësit ka rritur shumë optimizmin në rradhët e tifozerisë shkodrane që nesër do jetë në Tiranë për të përkrahur skuadrën në pritje të një tjetër rezultati pozitiv.
Endri ÇINARI