Para dy ditësh ekipet e Kategorisë Superiore kanë nisur zyrtarisht përgatitjet për pjesën e dytë të kampionatit, duke lënë pas pushimet e marra për festat e fundvitit.

Një muaj që do të jetë mjaft intensiv dhe që do pasohet më ndryshimë në organikën e skuadrave, të cilat përveçse përgatitjeve janë duke pikasur dhe lojtarët që pritet të afrojnë në këtë merkato dimri.

Ndryshimet kanë nisur fillimisht tek trajnerët ku nga 10 ekipe të Superiores, pesë prej tyre kanë bërë ndryshime pa përfunduar ende faza e dytë e kampionatit.

Të parët që vendosën të ndryshonin trajnerin ishte skuadra e Laçit e cila shkarkoi që në javën e pestë trajnerin malazes Dejan Vukiçeviç për shkak te rezultateve mjaft të dobëta dhe në vend të tij emëruan një emër të njohur si Mirel Josa, i cili arriti që të ndryshojë 100% fytyrën e skuadrës, e cila tashmë renditet në vendet e para të tabelës.

Pas Laçit, radhën për të larguar trajnerin e mori Egnatia, e cila ndërpreu bashkëpunimin me teknikun Gugash Magani që e ngriti ekipin në Kategorinë Superiore dhe e larguan në javën e 10-të. Një largim i befasishëm për shkak se deri në ato momente ekipi rrogozhinas ishte brenda pritshmërive, madje në disa sfida mori rezultate pozitive dhe surprizuese, por që nuk e bindën presidentin Agim Demrozi që të vijojnte bashkëpunimin me trajnerin peqinas.

Në vend të tij Egnatia emëroi trajnerin kosovar Zekira Ramadani, i cili e njeh paksa kampionatin shqiptar pasi ka qenë lojtar i disa prej ekipeve të Superiore në të kaluarën.

Një ndryshim të detyruar në pankinë bëri skuadra e Kastriotit që zëvëndësoi Ramazan Ndreun me ish mbrojtësin Emiljano Çela.

Largimi i Ndreut ishte një detyrim për Kastriotin pasi ai u dënua me një vit pezullim nga drejtimi i skuadrave, pas veprimit të turpshëm që bëri në ndeshjen me Skënderbeun, duke goditur me shkelma lojtarin e ekipit korçar. Një veprim aspak i hijshëm për një trajner futbolli, i cili mori dhe dënimin e merituar nga ana e Komisionit të Disiplinës në FSHF.

Rasti më i çuditshëm në ndërrimin e trajnerëve deri më tani e ka bërë skuadra e Teutës, që vendosi të largonte shkodranin Edi Martinin nga pankina dhe për të emëruar në vend të tij ish kapitenin Renato Arapin.

Por aventuara e Arapit zgjati fare pak ku e drejtoi Teutën vetëm në tre ndeshje, pasi presidenca e durrsakëve vendosi që të rikthejë sërish në krye të stolit Martinin.

Skuadra e fundit që ka ndryshuar “timonierin” është Partizani që gjatë ditës së sotme ia bësoi drejtimin e ekipit një emri të njohur brenda familjes së tyre që është Dritan Mehmeti.

Në këtë detyrë të re Mehmeti do të zëvëndësojë Ilir Dajën që u largua me consensus pas humbjes së pësuar në derbi dhe ecurisë së dobët që pati gjatë gjithë kësaj periudhe.

Mehmeti vjen tek Partizani duke lënë drejtimin e U-21 të të kuqve, ndërsa Ilir Daja me shumë gjasa pritet që ditëve në vijim ta vazhdojë karrierën jashtë Shqipërisë ku pritet të firmosë me skuadrën kosovare të Ballkanit.