Pasditën e sotme do të startojë java e dytë e Abissnet Superiore me ndeshjet Teuta-Bylis dhe Kastrioti-Erzeni. Në ndeshjen Kastrioti-Erzeni, krutanët janë gati për ndeshjen e parë sezonale në shtëpinë e tyre, teksa do të tentojnë fitoren për të marrë pikët maksimale. Ekipi i trajnerit Emiliano Çela mund të quhet si skuadër fushe, pasi edhe vetë ata preferojnë të jenë të tillë dhe duan që të marrin maksimumin në ndeshjen e sotme ndaj shijakasve.

Nga ana tjetër, Erzeni e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pakkkush e kishte parashikuar fitoren në start ndaj Vllaznisë. Ai sukses është arkivuar, por kërkohet që të përsëritet edhe në sfidën e sotme, ku shijakasit luajnë në transfertë.

Sa i takon formacioneve të të dy ekipeve, Kastrioti pritet të ketë në formacionin titullar dy mesfushorë shkodranë, siç janë Karakaçi dhe Edon Hasani, ndërsa edhe një ish i Vllaznisë, si Zogaj, do të jetë në 11-shen e trajnerit Emiliano Çela. Ndërkohë nga ana tjetër, Erzeni në gjirin e saj nuk ka asnjë futbollist shkodran.

Ndeshja Kastrioti-Erzeni do të luhet pasditën e sotme në stadiumin e Kamzës, duke nisur nga ora 17:00 dhe do të transmetohet në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/

Kastrioti (4-3-3): Sali, Kodra, Dida, A. Selmani, Rami, Mehmeti, Karakaçi, Hasani, Çela, Zogaj, Ajazi Tr: Emiliano Çela

Erzeni (4-1-4-1): Xhika, Iljazi, Sadiki, Krasniqi, Peposhi, Mehmeti, Osmanllari, Calbergue, Kahrimanoviç, Kadriu, Maloku Tr: Xhevahir Kapllani