Pasditën e sotme do të startojë java e dytë e Abissnet Superiore me ndeshjet Teuta-Bylis dhe Kastrioti-Erzeni. Në ndeshjen Teuta-Bylis, durrsakët do të kryejnë sot prezantimin e parë sezonal në shtëpi, ku në orën 17:00 presin ballshiotët në “Niko Dovana”. Ekipi i trajnerit Renato Arapi është i “dënuar” të fitojë ndaj Bylisit, pasi kërkon me çdo kusht të bëjë autokritikën e humbjes në javën e parë ndaj Laçit.

Nga ana tjetër, Bylisi vjen në transfertën e Durrësit pas suksesit në shtëpi me Kastriotin, teksa ata do të kërkojnë vazhdimësinë.

Sa i takon formacioneve, tek Teuta i vetmi futbollist shkodran që pritet të jetë në fushën e lojës është sulmuesi Rubin Hebaj, i cili cilësohet si një nga lojtarët më të mirë të këtij ekipi dhe është një pikë kyçe e durrsakëve në majën e sulmit.

Ndërkohë, tek Bylisi në formacionin titullar, pritet të jenë edhe dy mbrojtësit shkodranë, Trumçi dhe Preka, përkatësisht në të djathtë dhe në qendër të mbrojtjes.

Ndeshja Teuta-Bylis do të luhet pasditën e sotme në stadiumin “Niko Dovana”, duke nisur nga ora 17:00 dhe do të transmetohet në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/

Teuta-Bylis, formacionet e mundshme

Teuta (4-3-3): Qirko, Idrizaj, Qaqi, Jazxhi, Kotobelli, E. Vila, Çejku, Beqja, Boçi, L. Vila, Hebaj Tr: Renato Arapi

Bylis (4-2-3-1): Haremi, Trumçi, Preka, Damchevski, Lorran, Qoshku, Maçolli, Anthony, Ruçi, Sousa, Kaçorri Tr: Arjan Bellaj