Vllaznia do e gjejë veten në javën e 24-ët të Superligës në duelin me Kukësin. Ndeshje që do zhvillohet ditën e hënë në orën 16:45 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Një duel direkt për vendin e tretë, ku të dy ekipet ndodhen në kuotën e barabartë të pikëve. Nga 38 secila skuadër. Sigurisht si shkodranët ashtu edhe kuksianët do duan të lënë pas njëri-tjetrin, por edhe të tentojnë ti afrohen kreut.

Ky do jetë dueli i tretë këtë sezon 2021-22 mes dy skuadrave, ku në dy ndeshjet e mëparshme sfidat kanë folur në favor të kuksianëve. Kështu në fazën e parë në ndeshjen e zhvilluar në Rrogozhinë mes Kukësit dhe Vllaznisë, verilindorët triumfonin me rezultatin 2-0. Fitoren për ekipin e drejtuar nga Longo e siguronin golat e Taipit dhe Ndreces.

Faza e dytë do ndante një barazim në Shkodër në shifrat 1-1 mes dy skuadrave veriore. Goli i Latifit fillimisht për Vllazninë, do arrihej nga Puntus. Në këtë mënyrë duke ndarë një pikë mes tyre.

Realisht Vllaznia nuk ka arritur asnjë fitore në takimet e këtij edicioni kundër Kukësit, por lojërat e zhvilluar nga shkodranët ndaj kuksianëve nuk i përgjigjen aspak rezultateve në fushë.

Vllaznia ka luajtur shumë më mirë se Kukësi në përballjet e këtij sezoni, sidomos në ndeshjen e fazës së dytë të zhvilluar në Shkodër. Tashmë ditën e hënë pritet që përveç lojës së mirë, ndeshja të materializohet edhe me 3 pikë për kuqeblutë. Pikë që kanë munguar të plota deri më tani në duelet kundër Kukësit për skuadrën e drejtuar nga Brdariç.
Endri ÇINARI